Arbëri

Në Obiliq përmbyllet me sukses ushtrimi fushor për reagim në raste emergjente

Është përmbyllur me sukses ushtrimi fushor për reagim në raste emergjente “Veprimi i Shpejtë 10” i mbajtur në Obiliq.

Ushtrimi fushor është bërë në bashkëpunim në mes komunës së Obiliqit, FSK-së, KEK-ut, QKMF-së dhe KFOR-it. E kësaj here për të parë këtë ushtrim ishin prezentë edhe studentë të Fakultetit të Sigurisë Publike, transmeton Koha.net. .

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se ky është një operacion i përbashkët me të gjithë akterët që merren me çështje të kërkim shpëtimit dhe trajtimet e të gjithë atyre që mund të pësojnë lëndime në rast të situatave emergjente dhe katastrofave të ndryshme.

Gashi tha se ky ushtrim ishte një koordinim me zjarrfikësit, shërbimet shëndetësore dhe policinë.

"Ishte për neve një veprim i mirë dhe i koordinuar në mes të gjithë këtyre akterëve në demonstrimin e kryerjes së obligimeve të tyre në situata të jashtëzakonshme, në veçanti është për t’u përgëzuar FSK-ja që ka përfunduar një aktivitet jashtëzakonisht të mirë dhe ka dhënë një dëshmi më shumë për ndërrimin e misionit që tani pritet shumë shpejtë të ndërrohet me ligj dhe marrjen e detyrave të reja", ka thënë Gashi.

Image

Gashi ka thënë se në këtë ushtrim ka pasur edhe demonstrime të ndryshme si në kërkim shpëtim dhe më asgjësim të forcave të armikut në bashkëpunim me të gjithë akterët e cekur më lartë.

"Unë preferoj që edhe komunat e tjera edhe institucionet e tjera të ofrojnë mundësi për trajnime të tilla me qëllim që të vetëdijesohemi të gjithë që në situata të jashtëzakonshme të veprojmë bashkë", ka shtuar ai.

Kurse gjenerali i FSK-së, Gëzim Hazrolli pas përfundimit të këtij ushtrimi ka thënë se ky i fundit ka qenë shumë i suksesshëm falë angazhimit të të gjitha institucioneve pjesëmarrëse.

"Ushtrimi ka qenë i suksesshëm falë angazhimit të të gjithë institucioneve, duke filluar nga kryetari i komunës, Policisë së Kosovës, Agjencionit të Emergjencave, Zjarrfikësve, Kryqit të Kuq dhe të gjitha institucioneve lokale dhe qendrore. Misioni ynë është që dalëngadalë të punojmë së bashku me institucionet lokale dhe qendrore që kapacitetet e menaxhimit të mbrojtjes civile t’i bartim dhe së bashku të ngrisim nivelin e gatishmërisë për raste të nevojave. Ky ishte ndër ushtrimet më të suksesshme, por pa dyshim që edhe në këtë ushtrim, kemi gjetur shumë mësime”, ka thënë ai.

Image

I pyetur se si e konsideron procesin nëpër të cilin pritet të kalojë FSK-ja, Hazrolli u shpreh se sot kanë ardhur që të ngritin bashkëpunimin me komunën dhe institucionet tjera.

"Sot jemi në këtë ushtrim dhe prioritet i yni ka qenë që të zhvillojmë një ushtrim dhe të ngrisim bashkëpunimin me komunën dhe institucionet tjera dhe definitivisht ky është misioni që kemi pasur si synim dhe mendoj se ka qenë ushtrim i suksesshëm", ka pohuar Hazrolli.

Ushtrimi fushor në Komunën e Obiliqit ka zgjatur tri ditë.

Image
Image