Arbëri

Në Klinë u mbajtën aktivitete të shumta për festat e nëntorit

Me rastin e 28 Nëntorit, 105 - vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës para 20 viteve, si dhe ditëlindjes së komandantit Adem Jashari, në Klinë janë organizuar aktivitete të shumta që kanë nisur ditën e premte për të vazhduar sot me ngritjen e flamurit kombëtar para objektit të Komunës, ku ka marrë pjesë kryetari i komunës, Sokol Bashota, përfaqësues të OVL-ve të UÇK-së dhe qytetarë të tjerë.

Me pas janë bëre homazhe dhe vendosje kurora lulesh të shtatorja e komandant Mujë Krasniqit dhe varrezat e dëshmorëve të “Kodra e Kuqe”.

Me këtë rast, Bashota uroi gjithë qytetarët dhe bashkëluftëtarët për festat e nëntorit.

Aktivitetet për nder të kësaj dite kanë nisur të premten me një program kulturo-artistik, pastaj është organizuar ekspozitë e nxënësve, turnir në futboll dhe manifestimi tradicional “Art Klina 2017”.

Shkollat e Komunës së Klinës dje kanë organizuar program kulturo-artistik me këngë e valle dhe recitime kushtuar 28 Nëntorit.

Aktivitetet janë organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.​