Arbëri

Në Rahovec hidhet në diskutim publik plani për transparencën për 2018-n

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Rahovecit kanë marrë vendimin që Plani i veprimit për transparencë për vitin 2018 të vihet në diskutim publik, ndërkohë që me disa ndryshime kanë miratuar edhe raportin e Komisionit për shqyrtimin e ankesave për emërtimin e rrugëve.

Në njoftimin e Komunës së Rahovecit bëhet e ditur se kjo ka qenë e seanca e dhjetë e këtij viti, në të cilën nga rendi i ditës është hequr pika e shqyrtimit të propozimit për rikategorizimin e monumentit natyror “Kanioni i Drinit të Bardhë tek Ura e Fshejtë”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kurse pikat që u miratuan nga këshilltarët janë: marrja e vendimit për dalje në debat publik të Planit të veprimit për transparencën dhe i aktiviteteve i Komunës së Rahovecit për vitin 2018 dhe me disa ndryshime është miratuar Raporti i komisionit për shqyrtimin e ankesave për emërtimin e rrugëve dhe shesheve”, thuhet në njoftimin e publikuar në ueb faqen e Komunës.

Ndërkaq para fillimit të seancës, drejtori i Shërbimeve Publike, Muhamet Behra, ka shpërndarë kopjet e Planit të mobilitetit urban për Komunën e Rahovecit për vitin 2016-2020, plan i cili është punuar nga organet komunale dhe ekspertët e projektit zviceran “DEMOS”.