Arbëri

Qytetarët me vetiniciativë ndihmojnë familjet skamnore në Pejë

Kushtet e vështira ekonomiko-sociale janë përkeqësuar për shumë familjeve skamnore në Pejë.

Shumë prej këtyre familjeve që, kryesisht raste të rënda, po ndihmohen nga bashkëqytetarët, të cilët me vetë iniciativa po u gjinden me gjëra ushqimore, shkruan sot “Koha Ditore”.

Njëri prej tyre është edhe këshilltari i ri në Kuvendin Komunal të Pejës, Gëzon Berisha nga subjekti Nisma për Kosovën, e cila me 2.08 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare, ka siguruar një vend në Kuvendin Komunal të Pejës. Si bartës i listës, Gëzon Berisha, do të përfaqësojë në Kuvendin e Pejës këtë subjekt. Por për mëditjet e këshilltarit që i takojnë, Berishës nuk i interesojnë.

Për katër vjetët e ardhshme, me mëditjet e tij të këshilltarit ai thotë se do të ndihmojë familjet skamnore. Aktualisht mëditja e plotë është 192 euro në muaj dhe për katër vjet janë mbi 9 mijë e 200 euro.

“Nuk i dua paret e këshilltarit. I kam kushtet dhe mund të ndihmoj, se e kam biznesin tim. Prandaj për katër vjet të gjitha paret që i marr si këshilltar do i jap për të ndihmuar familjet skamnore”, thotë Berisha. Ai tregon se që katër vjet rregullisht ndihmon familjet nevojtare me gjëra ushqimore, para dimrit dhe para festave, pa dallim feje e etnie.

Edhe para dhe gjatë fushatës elektorale ka ndihmuar disa familje, por siç thotë ai, nuk ka dashtë të merret vesh, që njerëzit të mos paragjykojnë dhe të thonë se po e bënë për shkak të votave. Berisha edhe javën e kaluar ka ndihmuar me gjëra ushqimore disa familje në dy lagje. Në “Dardani” dhe në “Xhemajl Kada”.

Ndihmat që i jep Berisha, por edhe qytetarët tjerë zemërgjerë, nuk grumbullohen dhe shpërndahen nga ndonjë organizatë humanitare, por është thjeshtë një vetiniciativë qytetare, që katër vjet me radhë. Kujtim Halili është qytetar nga Peja që i identifikon nëpër lagje të qytetit familjet skamnore dhe pastaj ndihmon ato me ndihmat që i mbledh prej qytetarëve dhe shoqërisë së tij... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.