Arbëri

Ankesa pezullon nënshkrimin e kontratës për pishinën olimpike

Komuna e Prizrenit ka shpallur njoftimin për dhënien e kontratës për ndërtimin e pishinës olimpike, në vlerë prej 2.5 milionë eurosh, por ende nuk e ka nënshkruar atë, për shkak të ankesës së një operatori ekonomik në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në këtë situatë zyrtarët komunalë kanë theksuar se janë të obliguar që të presin vendimin e “Gjykatës së tenderëve” për këtë çështje, shkruan sot Koha Ditore.

“Njoftimi për dhënien e kontratës për ndërtimin e pishinës olimpike në Prizren është publikuar në fillim të këtij muaji. Plani ka qenë që të nënshkruhet kontrata dy javë më parë, por nuk është nënshkruar, sepse kemi një ankesë të parashtruar në OSHP nga një operator ekonomik, i cili është renditur i treti me çmim. Para çfarëdo procedimi të mëtutjeshëm presim që lënda të përmbyllet në OSHP”, ka thënë Isa Osmankaj nga Zyra e Prokurimit e Komunës së Prizrenit.

Në ueb faqen e OSHP-së është publikuar ankesa e "KAG Asphalt Company & Powatec GMBH” kundër Komunës së Prizrenit lidhur me tenderin për ndërtimin e pishinës olimpike, përmes së cilës operatori ankues pretendon se autoriteti kontraktues në këtë prokurim ka shkelur nenet 1,6,7,59,60,61,68 dhe 69 të Ligjit për prokurimin publik. (Më shumë detaje lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)