Arbëri

Bahtiri, i bindur në rizgjedhjen e tij kryetar komune

Kryetari i Komunës së Mitrovicës ka zhvilluar një takim me përfaqësuesen e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Emma Lomax, me bashkëpunëtorë, me të cilën bisedoi për situatën politike dhe për përgatitjet që po bëhen për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

Bahtiri, pasi falënderoi Ambasadën Amerikane për interesimin për Mitrovicën, e njoftoi atë për situatën aktuale politike, me theks të veçantë për zgjidhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës i tha Lomaxit se të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme tashmë kanë filluar dhe se pret që çdo gjë të jetë në rregull.

“Pres që procesi zgjedhor të shkoj për së mbari dhe jam i bindur se do të kemi zgjedhje të drejta dhe me standarde të larta evropiane. Që procesi zgjedhor të realizohet pa probleme, e mundëson edhe situata e qetë dhe pa probleme politike dhe e sigurisë në Komunën e Mitrovicës”, tha ai.

Bahtiri i tha Lomaxit se ka punuar shumë gjatë mandatit të tij qeverisës, “gjë të cilën e vlerësojnë edhe qytetarët e Komunës” dhe se kjo ka qenë arsyeja që të kandidoj sërish për kryetar të Mitrovicës, i bindur se do të jetë fitues.