Arbëri

Kandidati i LDK-së për Mitrovicën tregon çka e dallon atë nga kandidatët tjerë

Emri i tij është i lidhur ngushtë me politikën, duke bartur mbi supe poste të rëndësishme gjatë karrierës së tij, ndërsa tani nën siglën e LDK-së, vjen me një strategji krejtësisht të re për postin e kryetarit të Komunës së Mitrovicës.

Safet Kamberi, i cili pas zgjedhjeve qendrore u emërua ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, gjatë një interviste për KosovaPress, ka treguar arsyet pse pretendon postin e të parit të kësaj komune.

Flet për diferencën mes tij dhe konkurrentëve, planet, synimet dhe projektin e tij për Mitrovicën.

“Prej momentit kur unë kam qenë kandidat për kryetar të Lidhjes Demokratike Dega në Mitrovicë, ky ka qenë synimi im, mirëpo edhe i strukturave të Lidhjes Demokratike… Me gjithë respektin që kemi për kandidatët e partive tjera, tek Partia Demokratike dhe Vetëvendosja, sepse këta të tjerët konsideroj se do të jenë kandidatë vetëm formalë në garë për kryetar të Komunës së Mitrovicës… Besoj se virtyti kryesor që më dallon nga të tjerët është edhe për shkak të qëndrueshmërisë time përgjatë këtyre viteve… Një përvojë 13-14 vite në institucione, në veçanti në pushtetin lokal, e krijon atë diferencën time me kandidatë tjerë, sepse ne kemi përballë disa kandidatë të cilët nuk e kanë asnjë ditë përvojë në funksionimin e institucioneve lokale”, ka thënë Kamberi.

Ai ka bërë të ditur se programi i tij dhe i LDK-së për Mitrovicën, që është përgatitur në bashkëpunim me ekspertë të fushave të ndryshme e me njerëz jashtëzakonisht të respektuar dhe që kanë përvojë, është jashtëzakonisht i pasur.

Sipas tij, ky program nuk do të jetë program dëshirash, por i bazuar në kapacitetet që ka komuna, do të ketë në epiqendër qytetarin, si dhe rritjen dhe kualitetin e shërbimeve për qytetarët.

Arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shtoi ai, do të jenë po ashtu vetëm disa nga shtyllat kryesore në të cilat do të fokusohet programi i LDK-së.

“Tash jemi pothuajse në përfundim e sipër të programit. Kemi angazhuar shumë ekspertë, edhe nga strukturat e LDK-së që kanë qenë, njerëz të respektueshëm me përgjegjësi jashtëzakonisht të madhe me të cilën kanë udhëhequr në të kaluarën, mirëpo edhe ekspertë tjerë të respektuar të qytetit tonë… Me të gjitha këto besoj se programi ynë do të jetë jashtëzakonisht i pasuruar, mirëpo edhe një program i bazuar në kapacitetet të cilat i ka komuna, jo program i dëshirave. Ne kryesisht do të ndalemi në rritjen dhe kualitetin e shërbimeve për qytetarët, sepse ky është roli i Administratës Komunale dhe i Komunës në përgjithësi…Ne jemi dëshmitarë të gjendjes së pastërtisë, kaosit urbanistik. Shkollat, shëndetësia, këto do të jenë shtyllat kryesore në të cilat ne do t’i orientojmë angazhimet tona dhe punën e programit të LDK-së”, potencoi Kamberi.

Ai ka porositur qytetarët që të jenë të vëmendshëm në orientimin e votës së tyre, dhe të kenë parasysh programet e prezantuara nga ana e partive, por edhe kandidatët për të cilët mendojnë se do t’i përfaqësojnë ata në mënyrë më të denjë.

“Unë elektoratit dhe qytetarëve tonë iu bëj thirrje që të jenë pjesë e përditshme e shpalosjes së programeve, programit tonë dhe të kandidatëve tjerë. Ta marrin me seriozitet se cili program është më i arsyeshëm, më i kapshëm dhe vota e qytetarit tonë të orientohet tek programi, tek kandidati, tek njerëzit që në mënyrë të denjë do t’i përfaqësojnë qytetarët e Mitrovicës, sepse jemi dëshmitarë kohët e fundit të një zbehje të krenarisë mes qytetarit dhe institucioneve të komunës”, theksoi Kamberi.