Arbëri

PDK e cilëson shqetësuese gjendjen në arsimin e Gjilanit

Përfaqësues të Degës së PDK-së në Gjilan, në konferencën e jashtëzakonshme për media, ka paraqitur sot gjendjen në fushën e arsimit, duke e cilësuar atë shqetësuese dhe si pasojë të keqqeverisje komunale, të cilës “i ka ardhur fundi”, siç janë shprehur ata.

Leonora Morina-Bunjaku, anëtare e Komitetit të Arsimit në KK të Gjilanit, tha se edhe pse premtim në fushatën e kaluar zgjedhore të LDK-së ishte thënë se prioritet i prioriteteve do të jetë arsimi, një gjë e tillë mbeti e parealizuar.

“Edhe ky vit i ri shkollor filloi me shume pa rregullsi, në mungesë të gjërave elementare për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor. Mësimi ka filluar pa furnizim me ditarë, fletore pune, libër amë, fletore kujdestarie. E vetmja gjë që është bërë edhe atë në dëm të qytetarëve dhe në të mirë vetëm të militantëve të LDK-së, punësim pa kritere por me baza partiake dhe nepotizëm, mos ndarja e orëve në aktive profesionale apo me kritere të dyfishta sipas preferencave të tyre, mos shpallja e orëve mësimore, mbajtja e punëtorëve pa konkurs”, tha ajo.

Dega e PDK-së në Gjilan ka shprehur shqetësimin se investimet kapitale të premtuara gjatë qeverisjes së LDK-së nuk janë realizuar.

“Gjatë kësaj qeverisje komunale jo që nuk u hap një shkolle e re, por një shkollë me investime milionëshe u mbyll duke transferuar nxënësit në objektin e shkollës së mesme teknike, duke vështirësuar mbarëvajtjen e orës mësimore prej 40 në 30 minuta, prej dy në tri ndërrime. Integrimi i psikologëve dhe pedagogëve mbetet vetëm propozim në letër, përkundër insistimit tone në vazhdimësi. Pra në këtë qeverisje komunale nuk u praktikuan politikat e duhura zhvillimore për të avancuar por vetëm për të degraduar sistemin e arsimit”, tha Morina-Bunjaku.

Bujar Nevzati, ish-drejtor i Drejtorisë së Arsimit, theksoi se si rezultat i tërë kësaj gjendje në arsim dhe këto problem në fillim të vitit të ri shkollor, kanë të bëjnë si pasojë e keq menaxhimit të prokurimit dhe kurdisjen e tenderëve për furnizim me material elementar pedagogjik, furnizim me ushqim dhe pije për institucione parashkollore dhe konvikt.

Ai tha se për katër vite komuna e Gjilanit nuk ka pasur të kontraktuar një kompani për furnizim me pajisje elektronike për shkollat e Gjilanit.

“Ka rritje enorme të dhënies së tenderëve kompanive jashtë Gjilanit, sikurse që është tenderi për një kompani nga Ferizaj që bënë furnizimin me ushqim dhe tjetra kompani nga Prishtina që furnizon me material pedagogjik, por që në realitet kjo kompani nuk e respekton kontratën me komunën e Gjilanit për furnizim me ditarë dhe material përcjellës, sepse çmimet e kurdisura në këtë tender, ku për një ditar është ofertuar me 1 euro, e tani komuna e Gjilanit hesht ndaj kësaj shkelje ligjore”, ka thënë ai.