Arbëri

Shtërpca s’u siguron fëmijëve shqiptarë udhëtimin, prindërit i ndalin nga shkolla 5 km larg

Për nxënësit e komunitetit serb, komuna e Shtërpcës siguron transportin edhe nëse shkolla ku mësojnë është më afër se 4 km.

Por njëjtë nuk po vepron edhe me 20 nxënësit e fshatit Biti e Poshtme të kësaj komune, ani pse shkolla ku ata mbajnë mësimin është rreth 5 km larg. Kjo situatë po i përcjell nxënësit prej vitit 2005.

Meqë shkolla e fshatit nuk është në funksion, ata mbajnë mësimin në shkollën "Anton Santori" në fshatin Biti e Epërme, e cila është më larg se 4 km. Komuna e Shtërpcës nuk ka siguruar fare transport, ndaj dhe prindërit nuk po i lejojnë fëmijët të nisin procesin mësimor.

E Komuna e Shtërpcës nuk pritet që tash për tash të bëjë ndonjë zgjidhje.

Sipas shefit për arsim në këtë komunë, është e mundur që pas një kohe të sigurohet transporti por që mund të mos jetë i rregullt, pasi nuk kanë buxhet për sigurimin e një kombibusi për tërë vitin shkollor.