Arbëri

Ish-kryetari i AKR-së në Lipjan, Sabit Pacolli, përkrah Imri Ahmetin për zgjedhjet e 22 tetorit

Më i përfoluri gjatë periudhës së fundit kohore, ish-kryetari i degës së AKR-së në Lipjan, Sabit Pacolli, i cili javë më parë ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet e tij në këtë subjekt politik, tashmë ka vendosur ta përkrahë LDK-në dhe kryetarin aktual të komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti për zgjedhjet e 22 tetorit, njofton gazetari i “Kohës Ditore” nga regjioni i Ferizajt.

Pacolli, në një video-postim në Facebook, ka thënë se Ahmeti është i vetmi kryetar i cili deri tashti ka punuar në të mirë të qytetarëve të Lipjanit duke lëvizur procese mjaftë të rëndësishme në të mirë të qytetarëve dhe njëkohësisht ka realizuar qindra projekte për të mirën e lipjanasve.

“Njeriu duhet të votoj sipas ndryshimeve të cilat po ndodhin në Lipjan. Unë personalisht e votoj LDK-n dhe kandidatin Ahmeti për kryetar të Komunës. Ftoj të gjithë qytetarët e Lipjanit që ta votojnë këtë kandidat për kryetar të Lipjanit sepse deri tashti nuk ka tjetër personalitet më të mirë i cili ka punuar dhe vazhdon të punon për qytetarët e tij”, ka thënë Pacolli.

I pyetur se a do të rreshtohej në këtë subjekt para apo pas zgjedhjeve të 22 tetorit, Pacolli nuk ka dhënë shumë detaje por e ka konfirmuar se “unë do të forcohem pas Imri Ahmetit”.