Arbëri

Komuna Klinës planifikon të investojë 34 milionë euro në tre vjetët e ardhshme

Komuna e Klinës planifikon që në tre vitet e ardhshme 2018-2019-2020 të investojë hiq më pak se 33 milionë e 713 mijë e 714 euro nga buxheti komunal për investime kapitale në fushën e infrastrukturës rrugore, ujësjellës, shëndetësi, arsim, urbanizëm, shërbime publike e fusha tjera, që ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.

Kjo është bërë e ditur në debatin publik me qytetarë, që është mbajtur sot rreth Draft-buxhetit dhe projektet me prioritet të Komunës së Klinës për 2018-2020.

Në vitin 2018, sipas njoftimit të Komunës së Klinës, janë planifikuar të realizohen 50 projekte në vlerë 2. 668. 202 euro, në 2019, 3. 114. 974 euro dhe në vitin 2020, 3. 916.720 euro nga buxheti i Komunës së Klinës.

“Behët fjalë për 139 projekte ku preken gjitha fushat dhe fshatrat e Klinës. Prioritet më i madh i është dhënë fushës së arsimit, rregullimit të kanalizimit për trajtimin e ujërave të zeza, asfaltimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve, ujësjellësve, ndriçimit publik, mirëmbajtjes së hapësirave publike dhe sektorëve tjerë për të lehtësuar sa më shumë jetën e qytetarëve të Komunës së Klinës”, thuhet në komunikatën e kësaj komune.

Nënkryetari i Komunës së Klinës, Enver Berisha, u ka thënë qytetarëve se këto janë projekte të planifikuara, ndërkohë që numri i tyre do të jetë edhe më i madh pasi që ekziston edhe kodi bashkëfinancim me donatorë që na jep mundësi bashkë me komunitetin të realizojmë edhe projekte tjera.

“Gjatë kësaj periudhe është investuar pothuajse në të gjitha lokalitetet. Kërkesat janë të mëdha e mundësitë buxhetore të vogla, por megjithatë nuk do të anashkalohet asnjë fshat. Pritet edhe funksionalizimi i ujësjellësve në disa fshatra të Klinës në bashkëpunim me Qeverinë zvicerane”, u ka thënë qytetarëve Berisha.

Sipas tij, lista e prioriteteve për 2018-2020 është hartuar në bazë të kërkesave të qytetarëve dhe identifikimit të nevojave nga ekzekutivi.

Rreth buxhetit 2018 ka folur Ramiz Rrusta, drejtor për Ekonomi, Buxhet dhe Financa, i cili pohoi se buxheti për vitin e ardhshëm është 9 milionë e 488 mijë e 703 euro.

Rrusta tregoi se pothuajse të gjitha procedurat për hartimin e buxhetit janë kryer ku janë mbajtur debate në fshatra dhe në Klinë dhe pritet që ai të kalojë në Komitet për Politikë e Financa për të marrë aprovimin përfundimtar në Kuvendin e Komunës.

Qytetarët kanë dhënë propozimet dhe sugjerimet e tyre për zonat prej nga vijnë që projektet të futën në listën prioritare për periudhën trevjeçare.