Arbëri

Idrizi synon promovimin e qeverisjes së mirë dhe efikase në Vushtrri

Kandidati për kryetar të Komunës së Vushtrrisë nga radhët e PDK-së, Ferit Idrizi, u takua me grupin e ekspertëve që veprojnë në kuadër të Sektorit të Analizës dhe rekomandime të Shtabit Zgjedhor të degës.

Në këtë takim u konturua në vija të trasha oferta politike e kandidatit si dhe planifikimi strategjik për periudhën katërvjeçare të qeverisjes.

“Jam i interesuar që pikë qendrore e ofertës të jetë promovimi i modelit të qeverisje së mirë, ku qartësisht vendoset vija ndarëse mes politikës dhe administratës komunale e ku i pari i saj pyet qytetarët se si të shpenzohen mjetet e krijuara si dhe fuqizim të gruas e rinisë në qeverisjen lokale”, citon komunikata e PDK–së, Idrizin.

Në ndërtim të këtij vizioni po kontribuojnë Muzafer Shala, Sahit Surdulli, Habib Basholli, Liridona Gërxhaliu e Jehona Shala, Menderes Ibra, Bahri Bivolaku, Betim Kollari, etj. Sektori drejtohet nga Ilmi Azemi.