Arbëri

Çeku akuzon KB “Bashkimi” për shkelje ligjore e morale se përkrahu publikisht kandidatin e PDK-së

Aktivisti i shoqërisë civile, Hajrulla Çeku, ka akuzuar Klubin e Basketbollit “Bashkimi” për shkelje të mëdha, njëra ligjore e tjetra morale, kur bëri thirrje të hapur që të përkrahet kandidati për kryetar të këtij qyteti, nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, njëherësh kryetar i klubit.

“Në një postim në faqen zyrtare në Facebook të Klubit të Basketbollit ‘Bashkimi’ bëhet thirrje e hapur për të mbështetur kandidatin e njërës nga partitë politike për kryetar komune në zgjedhjet lokale të 22 Tetorit. Postimi përveç që është bërë në faqen zyrtare të klubit, ai është nënshkruar edhe nga Kryesia e klubit. Me këtë veprim, KB ‘Bashkimi’ ka bërë dy shkelje të mëdha. E para është shkelje ligjore. Sikurse shumica e klubeve sportive në Kosovë, edhe KB ‘Bashkimi’ është i regjistruar dhe funksionon si organizatë jo-qeveritare. Dhe sipas nenit 15 të Ligjit për Lirinë e Asociimit ‘OJQ-të nuk mund të angazhohen në mbledhje fondesh ose në fushata për të mbështetur partitë politike ose kandidatët për funksione politike, dhe as nuk mund të propozojnë, regjistrojnë ose në ndonjë mënyrë të mbështesin kandidatët për poste publike’”, ka thënë Çeku.

Ndërsa shkelja e dytë, sipas Çekut, është ende më e rëndë, pasi që paraqet keqpërdorim flagrant të një vlere të përbashkët të qytetit për qëllime të ngushta partiake e politike.

“Askush, pra asnjë individ e asnjë Kryesi nuk e ka të drejtën e keqpërdorimit të klubit, i cili i takon krejt qytetit dhe qytetarëve të Prizrenit. KB ‘Bashkimi’ është simbol i traditës sportive të Prizrenit dhe askush nuk guxon ta keqpërdorë atë për qëllime partiake”.

Image