Arbëri

EC ma Ndryshe performon në lum për më shumë hapësira të gjelbëruara

Descriptive Text

Në kuadër të ditëve të mbajtjes së Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Prizren, EC Ma Ndryshe dhe Autostrada Biennale kanë organizuar performancën publike për shfrytëzimin e sipërfaqes gjelbëruese dhe lumit brenda shtratit të Lumëbardhit, njofton kumtesa nga kjo OJQ, transmeton Koha.net.

këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje çështja e mungesës së hapësirave gjelbëruese dhe numri i madh i hapësirave të pashfrytëzuara publike në Prizren, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse lokale e qendrore për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim.

Kjo hapësirë, në kuadër të këtij aktiviteti, do të shfrytëzohet si vendtakim për vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, me ç’rast ata do të mund ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat natyrale të gjelbërimit.

Në kuadër të performancës në kejin e Lumëbardhit, më saktësisht te “Gjashtë krojet” janë punuar shkallët që mundësojnë zbritjen në lum dhe shtigjet lidhëse për lëvizjen nëpër hapësirat gjelbëruese brenda shtratit të lumit.

Në një analizë të bërë nga EC-i del se në hapësirat publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit vetëm 3 për qind të tyre janë të gjelbëruara. Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me standardet botërore të qendrave të qyteteve. Gjithashtu nga matjet e bëra del që rreth 45 për qind e hapësirave publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit janë të pashfrytëzuara apo të pa qasshme për publik.

“Qytetet Gjithëpërfshirëse...” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës së Prizrenit.