Arbëri

Dy milionë e gjysmë investime kapitale për vitin 2018 në Viti

Kanë vazhduar debatet publike për planifikimin e buxhetit komunal për vitet 2018-2020, në fshatrat: Tërstenik dhe Sllatinë e Epërme.

Në takimin me banorët e Tërstenikut, zv.kryetari i Vitisë, Hasan Aliu, ka bërë të ditur se Komuna është e vendosur që buxhetin komunal, në veçanti në kategorinë e investimeve kapitale, ta alokojë, duke marrë mendimin e qytetarëve, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Planifikimi i buxhetit në këtë mënyrë, në harmoni të plotë me nevojat dhe kërkesat prioritare të banorëve të lokaliteteve, është mënyra më e mirë e ndarjes në mënyrë proporcionale. Po bëhen 4 vjet rresht që Komuna e Vitisë, bën planifikimin e buxhetit në bashkëpunim me qytetarët.

Përgjatë këtij viti ne kemi paraparë t’i mbajmë 26 diskutime publike nëpër lokalitete dhe të shqyrtojmë të gjitha kërkesat dhe nevojat që konsiderohen si prioritet për banorët”, ka thënë Aliu. Ndërsa Ibrahim Rama, drejtor i Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit, në takimin me banorët e këtyre dy lokaliteteve, ka njoftuar se buxheti komunal i Vitisë për vitin 2018 do të jetë 10 milionë e 847 mijë euro, kurse 2 milionë e 300 mijë euro do të jenë për investime kapitale.

Ai ka thënë se buxheti komunal për vitin 2018 ka pësuar ndryshime, më saktësisht do të jetë më i lartë vitin e ardhshëm për 828 mijë euro. Banorët e Tërstenikut kanë paraqitur nevojat e tyre si prioritet ndërtimin e trotuarit dhe të ndriçimit publik, pyllëzimin e sipërfaqeve kodrinore të fshatit, rrethojat e shkollave dhe funksionalizimin e ujësjellësit.

Gjithashtu, si prioritet ata e kanë paraqitur edhe nevojën për ndërtimin e një fushe sportive. Ndërsa në takimin tjetër në Sllatinë të Epërme, banorët e këtij lokaliteti kanë kërkuar zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza që po derdhen nga fshatrat fqinje.

Pastaj paraqitën nevojën për renovimin e ambulantes së fshatit, rrënimin e objektit të vjetër të shkollës, rrethojën e shkollës, asfaltimin e rrugëve të lagjeve, etj.