Arbëri

Bashkësia Islame e Pejës e akuzon KTV-në për “shqetësimet me pyetje”

Në prill të këtij viti, imami i një xhamie në Pejë ka dalë në pension. Megjithatë, ai ka vazhduar punën, raporton KTV.

Bashkësia Islame e Kosovës thotë se i ka dërguar vendimin degës së saj në Pejë për të zgjedhur dikë tjetër në këtë pozitë.

Bashkësia Islame në Pejë, përveç që nuk ka dhënë ndonjë koment, ka akuzuar KTV-në se po i shqetëson me këtë pyetje.

Imami i xhamisë “Kushumli” në Pejë, Nexhmedin Hoxhaj, në prill të këtij viti, e ka marrë vendimin nga Bashkësia Islame e Kosovës, që të shkojë në pension.

Mirëpo, përkundër kësaj, ai vazhdon ta drejtojë këtë xhami.

Sqarim për punën e imamit dhe vazhdimin e punës nuk ka dhënë as imami tjetër, i cili po e zëvendëson gjatë pushimit veror.

Ndërkaq, kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj, e ka penguar interesimi i KTV-së për këtë çështje.

“Nuk kemi pse me dhënë sqarim, sqarimin merre prej atyre që ju kanë dërguar këtu. Do t’ju padis edhe televizionin edhe gazetën për shqetësimet e vazhdueshme,” ka thënë Arifaj përmes telefonit.

Sekretari gjeneral i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, ka konfirmuar se imami Nexhmedin Hoxhaj, më 12 prill të këtij viti, ka marrë vendimin për pensionim.

Vlen të përmendet se djali i imamit Nexhmedin Hoxhaj, Fuad Hoxhaj, është sekretar i Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, këshill ky që duhet ta hapë konkursin për imamin e ri.