Arbëri

Kontestohen emrat e rrugëve në Podujevë

Descriptive Text

Gati gjysma e emrave të rrugëve në Komunën e Podujevës janë kontestuar nga banorët. Megjithatë, tetë vjet më vonë, rreth 500 ankesa të qytetarëve ende nuk janë shqyrtuar nga zyrtarët komunalë. Shoqëria civile kërkon që t’i jepet epilog këtij procesi. E zyrtarët komunalë theksojnë se procesi do të përmbyllet në muajt në vazhdim

Procesi i emërtimit të rrugëve në Komunën e Podujevës nuk është përmbyllur as pas tetë vjetësh.

Me listën përfundimtare që ishte miratuar në Kuvendin Komunal më 2015 nuk ishin pajtuar shumë qytetarë.

Nga 1,184 emra të rrugëve, gati gjysma janë kontestuar nga banorët. Por, ankesat e qytetarëve nuk janë trajtuar deri tash.

Për numrin e ankesave flet drejtori ekzekutiv në i organizatës Sundimi i Demokracisë në Kosovë”, Rexhep Zeka.

“Fatkeqësisht, në momentin që janë bërë publike dhe kanë filluar të vendosen emërtimin e rrugëve ka pasur një pakënaqësi mjaft të madhe nga qytetarët në tërë Komunën e Podujevës. Mund të themi që janë rreth gjysma e emërtimeve të rrugëve, që janë ankesa, janë të kontestuara nga qytetarët. Ka edhe nga ato ku janë dëmtuar si emërtime dhe janë menduar të vendosen të tjerë emra”, ka thënë Zeka.

Ai ka theksuar se e gjithë kjo pakënaqësi u shkaktua për shkak të mostransparencës dhe mungesë së kritereve të qarta për emërtimin e rrugëve. Po kështu, ka kërkuar nga ekzekutivi komunal që sa më parë t’i japë epilog këtij procesi.

“Natyrisht ne jemi tash tetë vjet më vonë dhe bëjmë thirrje që Komuna e Podujevës të fillojë me komisionin, të zgjidhet ai komision dhe të shqyrtohen të gjitha ankesat e qytetarëve, duke pasur parasysh që qytetarët po kanë shumë vështirësi në adresat e tyre në cilindo institucion ku vendosin të shkojnë, për shkak se nuk ka ende emërtime të mirëfillta të rrugëve”, ka thënë Zeka.

E, zyrtarët komunalë kanë thënë se është formuar një komision dhe se pritet që ky proces të përmbyllet në muajt në vijim.

Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës, ka konfirmuar numrin e madh të ankesave të cilave duhet dhënë përgjigje.

“Është formuar Komisioni komunal për trajtimin e ankesave të qytetarëve për emërtimin e rrugëve. Gjithsej i kemi pranuar diku përafërsisht 500 kërkesa, të cilat kanë shprehur pakënaqësi qytetarët me emërtim të rrugëve dhe tashmë komisioni i formuar ka filluar punën në terren dhe pritet që në ditët dhe muajt në vijim duke i trajtuar hollësisht një nga një do t’i japë edhe një epilog kësaj situate”, ka thënë Zhitia.

Ai ka theksuar se sa u përket emrave të rinj, ata mund të merren nga lista e pritjes ose të bëhen si propozime nga qytetarët, gjithnjë duke u bazuar në legjislacion.

Procesi i emërtimit të rrugëve është përcjellë me probleme që nga fillimi. Dyshohet se shumë prej emrave ishin të baballarëve e të gjyshërve të banorëve të lagjeve.