Arbëri

Nxënësit shprehin pakënaqësi për kushtet e rënda në gjimnazin “Shaban Hashani”

Me pankartën “Duam shkollë të re!”, nxënësit e shkollës të mërkurën kanë shprehur pakënaqësinë për kushtet në objektin e vjetruar. Nxënësja Jona Sefedini ka thënë se krahas kundërmimit të rëndë, në objekt shpesh janë hasur edhe brejtës. Ndërkaq në DKA-në e qytetit kanë thënë se presin që punimet për ndërtimin e objektit të ri shkollor të përmbyllen në nisjen e vitit të ri shkollor në shtator

Muret gjysmë të zhveshura nga shtresa e fasadës së rënë nga njomja prej të reshurave atmosferike dhe dritaret me xhama vende-vende të thyer e që i shpërfaqin gjurmët e pluhurit të shtresuar ndër vite janë pamjet me të cilat nxënësit e gjimnazit të shkencave shoqërore “Shaban Hashani” në Ferizaj e nisin mësimin përditë.

Me pankartën “Duam shkollë të re!”, nxënësit e kësaj shkolle të mërkurën kanë shprehur pakënaqësinë për kushtet në objektin e vjetruar.

Nxënësja Jona Sefedini ka thënë se krahas kundërmimit të rëndë, në objekt shpesh janë hasur edhe brejtës.

“Arsyeja e këtij organizimi është për shkak të kushteve të shkollës. Kushtet nuk janë hiç të mira. Nuk ka tualete, nuk ka tabela, nuk ka karrige për nxënës. Një kompjuter është në tërë shkollën. Kemi gjetur minj nëpër klasa”, ka thënë ajo gjatë organizimit për shprehjen e pakënaqësisë të mbajtur para oborrit të shkollës.

E mendimit të njëjtë me nxënësit është shprehur edhe drejtoresha Hajrie Nebihi, e cila zyrën e saj e ndan me psikologun dhe koordinatorin e shkollës.

Nebihi ka thënë se objekti shkollor nuk i përmbush as kushtet më elementare për zhvillim normal të procesit mësimor.

“Me çfarë të drejte më janë dënuar tash e 3 vjet 1.300 nxënës. Vijnë në këto kushte, me lagështi, me myk, me erë... asnjë kabinet, asnjë zyrë, as salla për takime me prindër”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se shkaku i dritareve të vjetruara, disa prej të cilave edhe janë të thyer, gjatë dimrit detyrohen që orët e mësimit t’i shkurtojnë në 20 minuta.

Afrim Llabjani, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj, ka pranuar se gjendja e objektit të shkollës është e rëndë, ndërsa ka shtuar se punimet për ndërtimin e një shkolle të re do të rifillojnë porsa prona e paraparë për të t’i rikthehet sërish Komunës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

“Është një shkollë e stërvjetruar. Ne kemi marrë iniciativë si qeveri komunale për fillimin e një shkolle tjetër, e cila gjendet te salla ‘Bil Clinton’, por me gjithë faktin se aty janë përfunduar 70 për qind të punimeve, kemi pasur një vendim nga Qeveria në vitin 2021 që pronat e komunave t’i kthehen AKP-së. Dhe nga ai moment ne nuk kemi mundur të punonim më”, ka theksuar ai.

Llabjani ka bërë të ditur se planifikohet që qysh nisja e vitit të ri shkollor në shtator nxënësit të mos i zhvillojnë më mësimet në këtë objekt.

Më 2017, Qeveria e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj pati marrë vendim që pronat e AKP-së t’u kalojnë komunave, porse ky vendim është shfuqizuar nga Qeveria aktuale në vitin 2021.