Arbëri

Spitali i Pejës e ai i Gjakovës përfitues të projektit prej 5.5 mln frangash

Arben Vitia - Thomas Kolly

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, kanë nënshkruar marrëveshje për projektin "Shërbime Shëndetësore të Integruara" në vlerë 5.5 milionë franga.

Nga ky projekt do të përfitojnë spitali i Gjakovës dhe ai i Pejës, si dhe disa nga qendrat e mjekësisë familjare që ushtrojnë aktivitetin në disa nga komunat e këtyre dy rajoneve.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, ky projekt në fokus ka sëmundjet jongjitëse dhe ju del në ndihmë posaçërisht grupeve të cenueshme që përgjithësisht kanë status shëndetësor më të dobët, përballen me situata më të vështira ekonomike, janë në rrezik më të shtuar të përjashtimit social në krahasim me popullsinë e përgjithshme.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ministri Vitia ka theksuar se është i lumtur për fokusin që ka kjo marrëveshje, siç janë sëmundjet jongjitëse dhe grupet e cenueshme.

Ndërsa ambasadori Kolly ka thënë se ky projekti është një tjetër arritje në bashkëpunimin e zgjeruar në sektorin shëndetësor ndërmjet dy vendeve.