Arbëri

Numrat e VALA-s gati të papërdorshëm në katër fshatra të Istogut

Fshatra Istog - vala

Banorë të disa fshatrave të Istogut nuk po mund të llogarisin në shërbimet e telefonisë mobile VALA.

Ani se misioni i kësaj kompanie publike është shtrirja e rrjetit në tërë territorin e Kosovës, megjithëkëtë në disa vende prej vitesh vazhdon të mos ketë mbulueshmëri.

Për banorët e këtyre fshatrave numrat e VALA-s janë pothuajse të papërdorshëm.

Gani Sadikaj nga Shushica thotë se problemet me Vala-n i kanë tash e dy dekada.

“Ka probleme prej paslufte e këtej, prejse janë marrë numrat e parë dhe tash vazhdimisht kanë problem për rrjet sepse valë këtu nuk ka. Sidomos kjo rrafshinë këtu ose duhet me dalë në kodër, në Bjeshkë, ose në Istog, ose në vende të tjera, sepse këtu është problem për valë”, tha Sadikaj.

Për shkak të komunikimit të zorshëm nëpërmjet këtij operatori, Sadikaj thotë të kenë bërë një peticion, por që nuk u ishte marrë parasysh.

Pak më larg Shushicës është edhe Tomoci, një fshat tjetër me probleme të njëjta.

Banori Naser Sylaj thotë se brenda fshatit është pothuajse e pamundur të komunikosh me një person tjetër që mban numër të VALA-s.

“Me thirrë me para nuk ke shansë këtu në Tomoc, kurrkund me para në Vala. Më parë shkoj me thirrë në këmbë te shtëpia sesa me e thirrë me telefon”, tha Sylaj.

Problem si të Shushicës e Tomocit kanë edhe fshatrat Llugë dhe Muzhevinë.

Katër katundeve të Istogut, në Telekomin e Kosovës kanë thënë se do t’u gjejnë zgjidhje më së largu deri në shtator të këtij viti.

Në një përgjigje dhënë KOHËS, në këtë kompani kanë thënë se rregullimi i rrjetit atje është paraparë në projektin 13-milionësh.

“Për shkak se jemi në fazën e projektit për modernizimin e rrjetit dhe me ardhjen e 120 stacioneve bazë të reja të teknologjisë 4G (5G ready) parashikohet që në këto zona të transferohen pajisjet ekzistuese të teknologjisë 3G dhe 4G. Me këtë do të ofrohet zgjidhje për parapaguesit e këtyre zonave dhe do të përmirësohen shërbimet e telefonisë mobile”, thuhet nga Telekomi i Kosovës.

Me këtë projekt, sipas Telekomit, përveç zgjerimit dhe investimit në stacione bazë të reja, synohet edhe modernizimi i rrjetit qendror.