Arbëri

Kuvendi i Podujevës e rishikon strategjinë e kontestuar nga MAPL-ja

Asamblistët e LVV-së dhe PDK-së i kanë dhënë mbështetje Strategjisë për zhvillim ekonomik lokal 2023-2025, të cilën e pati kontestuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Vërejtjet, sipas pushtetit lokal, kanë qenë kryesisht teknike. Por, LDK-ja në opozitë ka theksuar se ato janë përmbajtjesore

Kuvendarët komunalë të Podujevës e kanë rishikuar Strategjinë për zhvillim ekonomik lokal 2023-2025, të cilën e ka kontestuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).

Në arsyetimin e vendimit të Ministrisë thuhet se MAPL-ja konstaton se vendimi i nxjerrë nga Kuvendi i Komunës së Podujevës është në kundërshtim me Udhëzim administrativ (QRK) nr. 07/2018 për planifikimin dhe hartimin e dokumenteve strategjike dhe planeve të veprimit dhe udhëzuesin për hartimin e Strategjisë për zhvillim ekonomik lokal hartuar nga MAPL-ja, secili objektiv duhet të ketë së paku dy aktivitete.

“Aktivitetet duhet të konkretizohen për zbatimin e objektivave specifike. Pra nuk mund të jetë aktiviteti i njëjtë me emrin e objektives specifike. Gjithashtu, planit të veprimit i mungojnë treguesi për matjen e përmbushjes së objektivit specifik. Andaj bazuar në të lartcekurat, Kuvendi i Komunës së Podujevës duhet të rishikojë planin e veprimit sipas Udhëzimit administrativ dhe udhëzuesin për hartimin e Strategjisë për zhvillim ekonomik lokal”, thuhet në arsyetim.

Ndërkaq, drejtori për Planifikim dhe Zhvillimin Ekonomik, Vigan Salihu, i ka quajtur vërejtjet e MAPL-së si teknike.

“Ne si drejtori dhe kompania e kontraktuar kemi harmonizuar të gjitha rekomandimet dhe njëkohësisht kemi marrë konfirmim paraprak se dokumenti është konform kërkesave dhe rekomandimeve nga ana e tyre. Rekomandimet kanë qenë thuajse më shumë teknike dhe të bazuara në një udhëzim administrativ, i cili e rregullon krejt një çështje tjetër, atë të dokumenteve strategjike të nivelit qendror dhe jo ato të nivelit lokal. Pavarësisht kësaj, ne iu kemi përmbajtur rekomandimeve përkatëse dhe e kemi harmonizuar dokumentin”, ka thënë Salihu.

Por këshilltari i LDK-së, Adnan Zymeri, ka theksuar se kjo parti kishte dhënë vërejtje edhe në ditën kur ishte miratuar ky dokument.

“Tashmë të gjithë jemi dëshmitarë se ta shqyrtosh një akt ligjor në Kuvendin Komunal të Podujevës nuk është e çuditshme. Ndërsa është çudi që për çdo seancë të shqyrtojmë akte të jashtëligjshme. Krejt kjo ndodh kur komuna udhëhiqet nga një ekzekutiv, ku pjesa dërrmuese e tij janë njerëz që punën e parë në jetë e kanë drejtor. Edhe drejtor i mirë, edhe ‘yes man’ nuk shkojnë me një vend”, është shprehur Adnan Zymeri.

Ai ka thënë se në mbledhjen kur ishte shqyrtuar kjo strategji, kishte propozuar që para hartimit të mendohet për implementimin e dokumentit kaq të rëndësishëm.

“Dhe tash del të jetë i pazbatueshëm, ngase është edhe i hartuar edhe i kopjuar keq. Pavarësisht që bujqësia është ndër degët kryesore të ekonomisë, nga hartues i listës së mëshqerrave në sponsorizues të Strategjisë së zhvillimit ekonomik është goxha kapërcim i madh”.

Ndërkaq, mbështetje rishqyrtimit të këtij dokumenti i kanë dhënë dy partitë në pushtet, LVV dhe PDK.

“Ne si grup e përkrahim Strategjinë për zhvillim ekonomik lokal, e cila qytetarit i ofron një rrugë të qartë që e dërgon drejt progresit dhe zhvillimit ekonomik”, ka thënë Ragip Fetahu nga LVV.

Rishqyrtimi i këtij dokumenti është miratuar më shumicë votash.