Arbëri

Lumi Dumnica merr ngjyrë të bardhë, banorët e Sibovcit shprehin dyshimet e veta

Ka tri javë që lumi Dumnica ka marrë ngjyrë të bardhë.

Banorët e fshatit Sibovc i Poshtëm të Komunës së Podujevës, kanë thënë se dikush gjatë natës po hedh mbetje të ndryshme dhe për pasojë, ngjyra e lumit është shndërruar në të bardhë dhe era e keqe po ua vështirëson edhe jetën banorëve përreth.

Shtëpia e familjes Rrahmani në të gjitha anët rrethohet nga ky lumë dhe thonë se u ka shkuar ndërmend edhe ta braktisin shtëpinë, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së lumit.

Banorët e fshatit janë ankuar se komuna deri tash nuk u ka bërë kurrfarë zgjidhje.

Por zëdhënësi, Nazmi Elezi, ka thënë se Komuna nuk e di prejardhjen e kësaj mbetjeje.

“Një mostër të ujit e ka marrë Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe sapo të kemi ndonjë rezultat, do të marrim masat e nevojshme", ka deklaruar Elezi.

Lumi Dumnica rrjedh në gjashtë fshatra të Podujevës dhe nga banorët e kësaj ane mbahet mend si lumë i pastër dhe i shëndetshëm.