Arbëri

13 banorë në Pograxhë të Klinës të bllokuar nga vërshimet

13 banorë në fshatin Pograxhë të Klinës, kanë mbetur të bllokuar, meqë vërshimet e natës së fundit kanë ngritur nivelin e ujit në lum dhe e kanë përmbytur urën.

Shtëpia e Anton Selitaj, është një nga të bllokuarat. Ai tha se i është dashur të bëjë disa kilometra rrugë nëpër mal, meqë nuk ka një rrugë alternative për të dalë nga izolimi.

“Për momentin, qysh po e shihni edhe vetë gjendja është katastrofë, vështirësi po kemi boll, shihet që për të dalë andej nuk kam shansa këtej, shtëpitë janë lartë, të bllokuar jemi totalisht, nëse në ndonjë rast nevoje vetëm nëpër mal duhet të bëjmë lëvizje, me ardhë me ble diçka se përndryshe është e pamundur me dalë këtej”, tha Selitaj.

Selitaj tha se rruga bllokohet çdoherë kur ka reshje të shiut. Por, nuk është siguruar një zgjidhje, përkundër kërkesës që thotë se banorët e kanë adresuar në komunë.

“Jo vetëm tash që ka vërshime, nonstop kemi kërkuar prej komunës me pasë një mundësi me na rregullu shtratin ose me çu urën më lartë, me mujt me pasë lëvizje, por ende askush se ndreq”, tha Selitaj.

Por, autoritetet në Klinë thanë se nuk ka rrugë të bllokuara dhe se ekipet komunale janë në terren për ta bërë përmirësimin e gjendjes së krijuar pas vërshimeve.

“Pas reshjeve të shiut jeta në Komunën tonë është vështirësuar në masë të madhe, do të thotë rrugët janë të vështirësuara, por jo të pa kalueshme”, tha nënkryetarja e Klinës, Marqe Tanushi-Selmanaj.

Klina është njëra ndër komunat më të prekura nga vërshimet e ditëve të fundit. Komuna të tjera që pësuan dëme të mëdha nga përmbytjet janë: Skenderaj, Mitrovica, Podujeva dhe Istogu.