Arbëri

LDK-ja e AAK-ja përsërisin kërkesën për vendosje në pronat komunale

Kërkesa e partive politike për vendosjen e zyrave të tyre në pronat komunale është sjellë sërish në vëmendjen e ekzekutivit të Prizrenit.

Kjo çështje u ngrit sërish në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Komunës, ku u shqyrtua propozim-vendimi për miratimin e listës së veçantë të pronave të paluajtshme të Komunës që planifikohen për dhënie në shfrytëzim gjatë vitit 2023.

Asamblistët e LDK-së dhe ata të AAK-së kanë thënë se pushteti duhet të gjejë një zgjidhje urgjente lidhur me kërkesën e tyre.

“Ne duhet të mendojmë për zgjidhjen e çështjes së zyrave të partive politike. Ju e keni më lehtë sepse jeni në pushtet e mundeni me pagua qiranë, edhe partia tjetër që iku është në pushtet qendror edhe nuk ka probleme të atilla. Ne vërtet kemi problem me selinë e partisë dhe ju duhet të kujdeseni jo vetëm për ne, por për të gjitha partitë politike që t'ju bëhet një zgjidhje”, tha Haziz Hodaj nga LDK-ja.

“Është një problem për të gjitha partitë, edhe mirë kishte me qenë që ta bëjmë një zgjidhje të përbashkët, që të gjitha partitë të kenë një mundësi që të ekzistojnë si parti”, tha Afrim Muçaj nga AAK-ja.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, është pajtuar me konstatimet se kjo është një çështje e rëndësishme, por që, sipas tij, në këtë aspekt ka edhe kufizime ligjore rreth mënyrës së dhënies së pronës komunale në shfrytëzim.

“Personalisht jam shumë i gatshëm që bashkë me juve me gjet një zgjidhje më të mirë të mundshme për me ju mundësua partive politike me funksionua sa ma lehtë dhe sa ma mirë. Mirëpo në asnjë mënyrë nuk guxojmë me dalë jashtë asaj që e përcakton ligji”, tha Totaj.

Për disa vjet me radhë Zyra Kombëtare e Auditorit i pati dhënë vërejtje Komunës së Prizrenit për pronat komunale që shfrytëzoheshin nga partitë politike për zyra, me pagesën simbolike prej 1 eurosh në muaj, bazuar në një vendim të KK-së nga viti 2006.

Duke i marrë për bazë rekomandimet e Auditorit, në prill të vitit 2021, ish-pushteti komunal i drejtuar nga VV-ja pati marrë aksion për lirimin e këtyre pronave komunale.