Arbëri

Skenderaj e Mitrovica mobilizohen për ndihmë të familjeve në nevojë pas vërshimeve

Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës ka vizituar dy nga komunat më të prekura nga vërshimet. Ai ka treguar për dëmet e shkaktuara në Skenderaj e Mitrovicë dhe ka thënë se ka rrezik të përhapjes se epidemive. Kurti gjatë vizitës ka premtuar ndihmën e ekzekutivit në sanimin e dëmeve. Në këto komuna kanë filluar angazhimet kolektive e individuale për t’u dalë në ndihmë familjeve të prekura.

Shtëpia e familjes 8-anëtarëshe të Nebih Muratit, në Tushilë të Skenderajt, është njëra ndër shumë të prekurat nga përmbytjet.

Të dielën kjo familje ka pranuar ujë të pijshëm nga donatorët.

Murati tha se uji është i papijshëm, teksa tregoi për dëmet që i kanë shkaktuar vërshimet në shtëpi e bagëti.

“Nevoja për mbijetesë, uji, nuk ki as për me u pastru, as rrobat i kam ndërru veç 5 -6 herë t’u u mundu me pastru diçka, me tërheqë diçka, më shpëtu diçka”, ka thënë Murati.

E banorë të tjerë thonë se mungesa e ujit është problem edhe në qytet, jo vetëm në fshat.


“Për ujë është problem, jo vetëm në fshat, por edhe në nivelin e Komunës së Skenderajt, krejt komplet. Do të thotë për momentin, ujësjellësi nuk është dukë funksionuar as në qytet se jo më në fshat”, ka thënë Besart Sadiku, banor.

Ndihma për banorët e Skenderajt kanë filluar të sjellin edhe nga qytetet e tjera.

Një donator nga Klina tha se mundësitë janë të vogla, por dëshira për të ndihmuar është e madhe.

“T’u e pa gjendjen ekonomike, gjendjen e të dëmtuarve, të qytetarëve tanë ju kam bashkangjitur me një ndihmë të vogël solidare me qytetarë të Skenderajt, ku kam sjellë disa gjëra ushqimore, si dhe një shporet qysh kërkohet edhe përmes Facebookut që kanë nevojë edhe në emër të një shoku dy thasë miell një Avdyl Morina, diku në vlerë ka 400 euro”, ka thënë Ramiz Gashi, donator.

E zyrtarë komunalë thonë se përveç donatorëve vendorë, në ndihmë familjeve të prekura u kanë dalë edhe donatorët nga vende jashtë Kosovës.

“Jemi 11 grupe në terren, të cilat i kemi evidentuar telashet dhe problemet të cilat kanë familjet e prekura nga vërshimet, kësisoj deri më tani i kem i të regjistruara hiç më pak se 320 familje, të cilat janë të prekura nga vërshimet”, ka thënë drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Mobilizim për gjendjen e familjeve të prekura nga vërshimet është bërë edhe në qytetin e Mitrovicës.

Kryetari Bedri Hamza, ka njoftuar se për më shumë se 40 familjet e evakuuara do të sigurohet ushqim dhe veshmbathje, teksa kishte bërë të ditur se do të mbulohen edhe shpenzimet e qirasë për familjet e pa strehë.

Të dielën dy komunat e prekura i ka vizituar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka thënë se ka mjaft kafshë të ngordhura dhe se ekziston rreziku edhe për epidemi.

“Si qeveri dhe institucione qendrore, që nga momenti i parë, kemi qenë në ndihmë të qytetarëve në zonat e prekura nga përmbytjet e ujit. Ditëve në vijim, së bashku, do të punojmë për të sanuar dëmet e shkaktuara. Por, përveçse me pasojën, duhet të merremi edhe me shkaktarët. Për shumë vjet rresht, shtretërit e lumenjve janë dëmtuar pa e me leje, pyjet janë shpyllëzuar me e pavetëdije, kurse projekte infrastrukturore janë realizuar pa planifikim adekuat. Këto padyshim që kanë përkeqësuar situatën pas reshjeve të shiut”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Për të tejkaluar gjendjen e rënduar në komunat e prekura nga përmbytjet, Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria të ngrejë një fond emergjent në shërbim të komunave.

Asociacioni po ashtu, ka kërkuar që fondi të menaxhohet nga vetë institucionet lokale.