Arbëri

Vetëvendosje në Prizren ngre akuza për parregullsi, kërkon nisjen e hetimeve

Vetevendosje Prizren

Akuza për shkelje dhe parregullsi ligjore në konkursin për sekretarë të shkollave fillore e të mesme në Komunën e Prizrenit kanë ngritur opozitarë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ata kanë pretenduar se në këtë proces nuk janë respektuar dispozitat e Ligjit për Zyrtarët Publikë dhe se ka pasur lëshime si në formimin e Komisionit Përzgjedhës, ashtu edhe në verifikimin paraprak dhe në intervistimin e kandidatëve.

Karanfil Haxhillari, shef i Grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Kuvendin e Prizrenit, dhe Faruk Tahiri, anëtari i Komisionit për Arsim, u kanë bërë thirrje kandidatëve që të parashtrojnë ankesa, përderisa nga organet ligjzbatuese kanë kërkuar që t’i fillojnë hetimet rreth procesit.

“Pas katandisjes së shkollave me drejtorë puro politikë, për të cilët jeni në dijeni të gjithë, përkundër premtimeve gjatë fushatës zgjedhore, gjoja de-politizimin e arsimit në Komunën e Prizrenit, pra përveç drejtorëve, kjo qeverisje e PDK-së vazhdon përmes trikave të njohura nga incizimet e mëhershme, përmbushjen e pazareve politike duke e politizuar edhe me sekretarë të shkollave, që realisht janë shërbyes publikë”, tha Haxhillari.

Tahiri, ndërkaq, ka akuzuar udhëheqjen komunale për mosveprim drejt rritjes së cilësisë në arsim.

“Shaqir Totaj, i cili për 4 vjet sa ishte në opozitë, në vazhdimësi kishte kritikuar qeverisjen e kaluar për nepotizëm e politizim të arsimit, kurse sot, pas një viti, po e shohim se reagimet e atëhershme kanë qenë vetëm fjalë për të ardhur në pushtet e jo për të ngritur cilësinë dhe profesionalizmin në arsim”, tha Tahiri.

Lidhur me këto pretendime, KOHA ka tentuar që të marrë një deklaratë edhe nga zyrtarët e Komunës së Prizrenit, porse ata nuk kanë pranuar që të përgjigjen deri në momentin e raportimit.

Javën e shkuar, në ueb faqen e Komunës së Prizrenit janë publikuar njoftimet për rezultatin përfundimtar të kandidatëve të suksesshëm për pozitat e sekretarëve të shkollave në konkursin e 3 tetorit të 2022-s, bazuar në dispozitat e Ligjit për zyrtarët publikë.

Në këto njoftime figuron këshilla juridike se kandidatët e pakënaqur mund të parashtrojnë ankesë brenda 15 ditësh te Komisioni i Ankesave në Komunën e Prizrenit.