Arbëri

Banorët përreth fabrikës “Eurobllok” ankohen se jeta e tyre është bërë e padurueshme

Një grup banorësh nga Podujeva kanë protestuar kundër veprimtarisë së fabrikës për prodhimin e bllokave “Eurobllok” në këtë qytet.

Shtëpitë e tyre gjenden pranë fabrikës, ndërsa ankohen se jeta e tyre është bërë e padurueshme si pasojë e tymit që lirohet nga thëngjilli që po e përdor kjo fabrikë, raporton KTV.

Banorët kërkojnë një zgjidhje, pasi ajri po ndotet çdo ditë e më shumë.

Kanë frikë se nga kjo gjendje mund t’u krijohet ndonjë sëmundje andaj do të vazhdojnë ta kundërshtojnë atë derisa kërkesat të merren parasysh.

Ndërkohë Komuna e Podujevës është në dijeni për shqetësimet e këtyre banorëve, por zyrtarë të saj përgjegjësinë e kanë hedhur te Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Përfaqësuesit e fabrikës kanë thënë se janë në proces të marrjes së lejes së integruar mjedisore dhe se sipas tyre kjo nënkupton që do t’i marrin parasysh edhe kërkesat e banorëve.

Televizioni ka provuar të marrë një përgjigjeje edhe nga MMPH-ja, por zyrtarë të saj nuk kanë kthyer përgjigjeje gjatë ditës.