Arbëri

Podujeva i heq kaskadat e vendosura në lumin Llap

Descriptive Text

Janë hequr kaskadat në lumin Llap pak muaj pasi ishin vendosur nga Komuna e Podujevës. Qëllimi i vendosjes së tyre, sipas zyrtarëve komunalë, ka qenë ndalja e ujit, për shkak të thatësirave dhe kundërmimit të erës. Por, zyrtarët komunalë thonë se ky projekt nuk kishte përfunduar dhe se 10 mijë eurot e parapara për këtë nuk janë shpenzuar në tërësi.

“Projekti për vendosjen e kaskadave në lumin Llap nuk ka përfunduar për shkak të prishjes së motit, të planifikuara kanë qenë rreth 10 mijë euro të shpenzohen për këtë projekt. Por, meqenëse nuk ka përfunduar projekti, edhe nuk janë shpenzuar të gjitha mjetet. Kaskadat që janë vendosur në shtratin e lumit Llap kanë pasur për qëllim moszbrazjen e tërësishme të ujit gjatë verës dhe evitimit të kundërmimit të erës së rëndë”, ka thënë Fatri Zhitia, zëdhënës në Komunën e Podujevës.

Reshjet në fundvitin e kaluar kishin rritur nivelin e ujit në lumin Llap, me ç’rast ishte shembur edhe një pjesë e shtratit të lumit në qytetin e Podujevës. Komunarët thonë se nuk mund ta dinë me saktësi nëse kaskadat ishin bërë shkaktarë të prishjes së shtratit në atë pjesë.

“Për të evituar këtë rrezik të shembjes së shtratit, ne kemi marrë vendim që të largohen kaskadat dhe uji të qarkullojë lirshëm. Shtrati i lumit është bërë para 13 vjetësh dhe nuk mund të jap vlerësim nëse kaskadat janë bërë shkak i prishjes. Kjo u mbetet inxhinierëve për ta konstatuar”, ka thënë ai.