Arbëri

Lushtaku te Lladrovci, diskutojnë për zhvillimet aktuale në vend

Descriptive Text

Sot, në Komunën e Drenasit kryetari Ramiz Lladrovci ka pritur kryetarin e Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, me të cilin, sipas njoftimit për media të zyrës së Lladrovcit, diskutuan për zhvillimet aktuale, në veçanti thellimin e bashkëpunimit në ofrimin e lehtësirave dhe mbështetjes për krijimin e vendeve të reja të punës.

Në takim, kryetari Lladrovci, e falënderoi z. Lushtaku për angazhimin në drejtim të zhvillimit jo vetëm të Skënderajt, por edhe regjionit të Drenicës.

“Drenica, gjegjësisht Skënderaj dhe Drenasi, me përkrahjen edhe të nivelit qendror, do të jenë komuna modelë të qeverisjes së mirë, transparencës dhe zhvillimit ekonomik”, tha kryetari Lladrovci, duke theksuar rëndësinë e funksionimit të parkut të ri të biznesit, ardhjen e bashkatdhetarëve me ide të reja për të bërit biznes si dhe ardhjen e investitorëve të huaj.

Kryetari Sami Lushtaku, i ofroi përkrahje dhe mbështetje të plotë kryetarit Lladrovci në realizimin e prioriteteve, në funksion të ngritjes së mirëqenies së qytetarëve në Drenas e Drenicë.

“E përgëzova kryetarin Lladrovci për punën e tij të jashtëzakonshme për këta 7 muaj në krye të Drenasit dhe i ofrova mbështetje të plotë. Po ashtu, shpreha gatishmërinë për projektet e përbashkëta që përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve tanë”, ka thënë kryetari Lushtaku.

Në takim me kryetarin Lladrovci, kryetari Lushtaku shoqërohej dhe nga nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura dhe kryesuesi i Kuvendit të Skënderajt, Ismet Salihu.