Arbëri

Komuna e Ferizajt propozon ndihmë me 100 euro për secilën grua që lind, opozita e sheh si fushatë

Për çdo vit, në Ferizaj lindin mesatarisht 700 fëmijë, ndërsa asnjë grua deri tash nuk ka marrë kurrfarë ndihme.

Por, prej vitit të ardhshëm, nëse miratohet propozimi i grave asambliste të komunës, secila lehonë do të ndihmohet me 100 euro, raporton KTV.

Kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa, ka thënë se meqë komuna kryen shërbimet e vdekjes, është e palogjikshme të mos shpërblejë nënat që shtojnë popullsinë e komunës.

Fazli Shabani nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se e mirëpret këtë iniciativë, por dyshon se do të realizohet.

Sipas tij, kryetari Sfarqa veçse e ka filluar fushatën.

Por, këtë e mohon Sfarqa. Ai thotë se çfarëdo që ndërmerr komuna, nga opozita quhet fushatë.

Sfarqa thotë se deri tash nuk është marrë një iniciativë e tillë për shkak të buxhetit, por për vitin e ardhshëm nuk e konsideron të lartë shumën prej 70 mijë euro, për mesatarisht 700 lindje gjatë një viti.