Arbëri

Spitali i Gjakovës “mbyll” sallat e operacioneve, shkak prishja e sterilizatorit

Descriptive Text

Prishja e aparaturës për sterilizimin e mjeteve dhe materialeve për intervenime kirurgjikale ka bërë që Spitali i Gjakovës për 45 ditë të mos kryejë asnjë operacion, përveç rasteve urgjente. Për riparimin e aparaturës së prishur spitali ka hapur tender të rregullt, ndërkaq nuk dihet se kur do të përfundojë procesi i servisimit

Për të paktën 15 ditë, në Spitalin e Gjakovës nuk është kryer asnjë intervenim kirurgjikal për rastet jourgjente, shkaku i prishjes së aparaturës që e bën sterilizimin e pajisjeve dhe të çarçafëve.

Burimet i kanë thënë KOHËS se janë 70 mjekë që për dy javë kanë trajtuar vetëm rastet urgjente. Vendimin e 6 dhjetorit, që e dëshmon ndërprerjen e operacioneve, e ka marrë drejtori i spitalit, Jeton Zarari.

“Ju njoftojmë se për shkak të prishjes së autokllavit, urdhërohen të gjithë shefat e njësive operative se duhet të punohen vetëm rastet urgjente. Nuk ka program operativ elektiv deri në riparimin e autokllavit”, thuhet në vendim.

Burime të ndryshme të KOHËS kanë thënë se mbyllja e sallave të operimit në këtë spital është bërë për 45 ditë, ani se në shkresë të vendimit thuhet se është bërë para 15 ditësh.

Autokllavi është aparaturë nëpërmjet së cilës bëhet sterilizimi i pajisjeve dhe i materialit shumëpërdorimësh për operacione.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Jeton Zarari, nëpërmjet një përgjigjeje për KOHËN, ka konfirmuar ndërprerjen e punës dhe se është hapur një tender për riparimin e pajisjes, porse nuk ka treguar se kur do të mund të rifillojë puna me operime.

“Autokllavi është prishur qe 3 javë. Kemi provuar ta bënim riparimin me mjeshtërit tanë dhe nga mbarë Kosova, nuk ka qenë e mundur, ngase duhet ndërruar shumë pjesë. Është hapur tenderi për ndërrimin e pjesëve të autokllavit dhe është në procedurë. Ndërkohë, materialin për raste urgjente e sterilizojmë në Prizren”, ka thënë Zarari.

Tenderi, siç ka mësuar KOHA, është duke vazhduar nëpërmjet procedurës së rregullt.

Proceset e rregullta, po qe se ndiqen rregullat e prokurimit, përfundojnë më së shpejti brenda 3 muajsh, e në rast të ankesave e përsëritjes së vlerësimit, mund të zgjasin shumë më gjatë.

Sivjet ka pasur ankesa të vazhdueshme për mbyllje të sallave të operimit për raste jourgjente, teksa janë trajtuar vetëm ato emergjente.

Shëndetësia publike është një prej fushave për të cilat Qeveria është kritikuar më së shumti, teksa tashmë 74 ditë sektori është pa një ministër, përderisa pozitat kryesore drejtohen nga ushtrues të detyrës.