Arbëri

Dyshime për keqpërdorim me tenderin për furnizimin e shkollave me dru në Shtime

Descriptive Text

Komuna e Shtimes ka furnizuar objektet shkollore me dru për ngrohje, porse në furnizimet për disa prej tyre dyshohet që ka mungesë të sasisë së duhur. Shkaku i këtyre dyshimeve organet e drejtësisë kanë nisur menjëherë hetimet. Komuna pagoi 266.280 euro për 4.200 metër kub dru

Komuna e Shtimes ka furnizuar institucionet publike me lëndë djegëse për ngrohje gjatë sezonit dimëror, porse në disa shkolla janë ngritur dyshime për mungesën e sasisë së duhur të druve.

Dyshimet për sasi më të paktë dhe për furnizim me lloje drunjsh që nuk ishin specifikuar në kontratë kanë aktivizuar Departamentin e Policisë për Krime Ekonomike drejt nisjes së hetimeve.

Sipas kontratës, Komuna për këtë tender ka shpenzuar 266.280 euro për 4.200 metër kub dru.

Avdi Bungu, punëtor teknik në shkollën fillore “Emin Duraku” në Shtime, tha se dyshimet e ngritura prej tij janë konfirmuar pas inspektimeve të bëra.

“Kam thënë se popullit ia keni hëngër mishin e tash edhe eshtrat po mundoheni t’ia gërryeni se mos po del ndonjë pjesë e mishit. Kështu që drejtorit është prezantuar se i kanë ardhur 200 metra me dru, kurse mungojnë 80 metra. Dje kanë qenë hetuesia nga Ferizaj dhe ajo e Pylltarisë e Zhvillimit Rural. I kanë shikuar dhe kanë dalë siç iu kam thënë unë”, ka thënë Bungu. “Jam duke u befasuar me këta njerëz, pse nuk marrin masa dhe të thonë se kjo është hajni”.

Ai ka kërkuar po ashtu që Prokuroria të ndërmarrë masa ndaj atyre që kanë bërë keqpërdorim.

E lidhur me rastin reagime ka pasur edhe nga opozita në Shtime.

“Ne si subjekt politik e kemi ngritur këtë çështje disa herë në Kuvendin Komunal, për disa herë, meqë e kemi parë se ka keqpërdorime në tenderin me lëndë djegëse, dhe për këtë ftojmë organet e drejtësisë që ta zbardhin këtë rast. Kjo keqqeverisje po del që ka skandale, siç është edhe kjo e fundit që doli në shesh”, ka thënë Rrahman Jakupi, kryetar i Degës së PDK-së në Shtime.

As zyra për informim e Komunës dhe as zyrtari i saj, përgjegjës për kontratën për furnizim, Armend Imeri, nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth çështjes.

E drejtori i shkollës “Emin Duraku”, Rexhep Hasani, pranon se një pjesë e druve të siguruara nuk përkojnë me llojin e specifikuar në kontratë.

“Pjesa më e madhe është e përmbushur me dru ahu dhe bungu, ndërkaq vetëm në kamionin e parë janë pak metra - 3 deri në 5 metra - me plep. Thjesht e kanë gëzuar edhe fokistin për ta nisur zjarrin në fillim të ditës. Janë të mirëseardhur çdokush që dëshiron të hetojë diçka që është e nevojshme, dera është e hapur dhe komunikimi është i nevojshëm”.

Në Polici nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me atë se kush është intervistuar rreth çështjes.