Arbëri

Nis ndërtimi i trotuarit në Carrallukë të Malishevës

Komuna e Malishevës, të martën, ka njoftuar se në fshatin Carrallukë ka nisur implementimi i projektit për ndërtimin e trotuarit nga hyrja e fshatit deri në shkollë, në mënyrë që të rritet siguria në trafik për nxënësit.

Sipas njoftimit të Zyrës komunale të informimit, ndërtimin e trotuarit e kanë parë nga afër kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe drejtori i Urbanizmit, Ahmet Morina, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Krahas investimeve në shkolla, për krijimin e kushteve më të mira për mësim, ne jemi të obliguar të krijojmë edhe kushte që rrisin sigurinë e fëmijëve tanë, dhe në kuadër të këtij angazhimi kemi nisur me ndërtimin e trotuarit, që kalon në pjesën më të madhe të fshatit, me qëllim që fëmijët të jenë të sigurt gjatë udhëtimit të tyre nga shtëpia për në shkollë dhe anasjelltas”, ka thënë kryetari Begaj.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Ahmet Morina, ka vlerësuar se ky projekt është duke shkuar sipas planifikimit, ndërsa kushtet atmosferike kanë mundësuar që të nisë realizimi i tij. Sipas tij, ndërtimi i trotuarit ka rëndësi të madhe për të gjithë banorët, në veçanti për nxënësit e këtij fshati, të cilët ndjekin mësimin në shkollën “Imer Krasniqi”. “Projekti financohet nga Komuna e Malishevës, ndërsa trotuari ka një gjatësi prej 1 mijë e 150 metrash dhe kostoja e ndërtimit kap shumën prej 40 mijë eurosh”, ka deklaruar Morina. 

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.