Arbëri

Heroi Enver Zymberi përkujtohet përmes vrapimit

Atletë të kategorive të ndryshme të klubeve të Kosovës, qytetarë e zyrtarë të institucioneve të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të sigurisë, kanë marrë pjesë në ngjarjen sportive “Vrapojmë shtigjeve të Enver Zymberit”, që u mbajt sot në Mitrovicë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka u shpreh krenar që Komuna sado pak po arrin të kontribuojë përmes kësaj ngjarje sportivë në përkujtimin e heroit.

“Jemi krenarë që si Komunë, sado pak kontribuojmë në këtë ngjarje dhe jemi krenarë që përkujtojmë një njeri të tillë si Enver Zymberi”, ka thënë Mujka.

Ndërsa, babai i heroit, Muharrem Zymberi duke përshëndetur të gjithë shokët e djalit të ndjerë, tha se institucionet kanë bërë brenda mundësive gjithçka që djali tij mos të harrohet.

“Përshëndes shokët e të ndjerit nga Ministria e Brendshme. Këta po e zbusin dhimbjen dhe tensionin… Institucionet kanë bërë sa kanë pasur mundësi, kanë bërë”, tha mes tjerash Zymberi, raporton Kosovapress.

Edhe fituesja e kësaj gare në kategorinë e senioreve, Luljeta Shala, ka bërë të ditur se ndjehet shumë krenare për pjesëmarrjen e saj në këtë garë.

“Po ndjehem e lodhur pas garës, por krenare. Edhe më krenare që pata nderin të vrapojë në garën për nder të heroit kombëtar, Enver Zymberit”, theksoi Shala.

Vrapimi në shtegun prej 200 metra, 2 dhe 3 kilometra, u zhvillua në rrugën kryesore “Mbretëresha Teutë” dhe një pjesë të magjistrales së “Ulqinit”, të cilat kohë pas kohe ishin të bllokuara për qarkullim, por që u kontrolluan dhe drejtuan mirë nga zyrtarët policorë, duke vënë në funksion rrugët alternative.

Ndryshe, ky aktivitet, që u mbajt në shenjë kujtimi të gjashtë vjetorit të rënies heroike të heroit të Kosovës Enver Zymberi, u organizua nën përkujdesjen e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport të Komunës së Mitrovicës, si dhe Federatës Atletike të Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.