Arbëri

Një shkollë në Lipjan do t’i ndëshkojë nxënësit që s’mbajnë mësim të shtunën

Pas një varg debatesh e kundërshtimesh nga prindërit për zëvendësimin e orëve të mësimit nëpër shkolla, këshilli i shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “ Vëllezërit Frashëri” në Lipjan ka marrë vendim që mësimi do të mbahej të shtunave.

Ndërkaq për nxënësit të cilët nuk shkojnë në shkollë do të ndëshkohen me mungesa të pa arsyeshme.

Kjo shkollë ka qenë më e përfolura për mos mbajtje të mësimit të rregullt të shtunave shkaku i mungesës së nxënësve, megjithëse mësimdhënësit kanë shkuar në shkollë.

Sipas drejtuesve të kësaj shkolle, të shtunave do të ketë zhvillim të mësimit sipas vendimit të ministrisë së Arsimit, andaj kanë kërkuar nga prindërit t’i dërgojnë fëmijët në shkollë.

Drejtori i shkollës, Jakup Bahtiri, ka thënë për KOHËN se ka pasur kundërshtime nga prindërit për t’i dërguar fëmijët në shkollë të shtunën, mirëpo vendimi i ministrisë duhet të zbatohet për zëvendësim të orëve të humbura.

“Ne së bashku me këshillin e shkollës kemi bërë njoftim që mësimi do të zhvillohet të shtunave për zëvendësimin e orëve, prandaj kërkojmë nga prindërit t’i sjellin fëmijët në shkollë në mënyrë që ata mos të marrin mungesa dhe mos të mbesin mbrapa me procesin mësimor. Të shtunat e kaluara ka pasur numër të vogël të nxënësve, por mësimdhënësit kanë qëndruar deri në fund të orarit në shkollë”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkaq në njoftimin e kësaj shkolle të premten, thuhet se për parafillorët dhe klasat 1-8 do të punohet ditën e shtunë me datë 29.10.2022 me orar të ditës së hënë, ndërkaq klasat e nënta nuk do të kenë mësim ditëve të shtunë.

“Vërejtje, për nxënësit që nuk respektojnë orarin dhe nuk vijnë në shkollë, do të merren masa ndëshkuese”, thuhet në njoftim.

KOHA ka kontaktuar edhe me kryetarin e Këshillit të prindërve të kësaj shkolle Besnik Rashiti, i cili ka thënë se prindërit duhet ta zbatojnë vendimin e shkollës.

“Ka pasur shumë prindër të pakënaqur dhe kanë kundërshtuar zëvendësimin e orëve gjatë të shtunave. Ne e kemi mbajtur një mbledhje me kryetarët e këshillit të klasave, mirëpo nuk kemi mundur të marrim ndonjë vendim për shkak se pjesëmarrja e prindërve ka qenë e vogël. Ndërkaq, shkolla tashmë ka njoftuar se mësimi do të mbahet të shtunave dhe po mendoj se prindërit duhet ta respektojnë atë”, ka thënë Rashiti.

Image