Arbëri

Ferizaj punësoi për një vit si praktikantë rreth 15 persona me aftësi të kufizuara

Komuna e Ferizajt gjatë vitit ka punësuar si praktikantë gjithsejtë 15 persona me aftësi të kufizuara, të cilët kanë marrë pagë simbolike.

Ndërkohë organizata “Handikos” në këtë komunë ka vazhduar me fushatë ndërgjegjësuese me moton “Punësimi është e drejtë , jo privilegj” të premten.

Ky aktivitete kishte për qëllim përfshirjen e personave të tjerë me aftësi të kufizuara për punë praktike në Komunën e Ferizajt, nga ora 10:00 deri në orën 12:00.

Gjemile Murseli, shefe në “Handikos” ka thënë se çdo institucion apo ndërmarrje që ka më shumë se 50 persona të punësuar, duhet ta pranojë në punë të rregullt edhe një person me aftësi të kufizuar.

“Bashkëpunimi me Komunën e Ferizajt vazhdon me qenë i mirë derisa gjatë një viti ata kanë marrë në punë praktike rreth 15 persona me aftësi të kufizuara dhe ndërkohë ka edhe persona të tjerë që janë të punësuar të rregullt. Por megjithatë kjo nuk është e kënaqshme sepse numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara duhet të jetë më i madh nëpër institucione”, ka thënë Murseli.

Ndërkaq, nënkryetari i Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliu, ka thënë se nuk është aspak i kënaqur me trajtimin e kësaj kategorie, por si institucione janë duke bërë përpjekje që të rritet numri i të punësuarve me aftësi të kufizuara.

“Ne do të bëjmë të pamundurën që këta të ndihen të socializuar, dhe përkrahjen tonë gjithmonë do ta kenë. Kjo është një simbolikë e vogël, sepse unë mendoj që kjo dukuri duhet të trajtohet më shumë me ligj edhe me përkrahje edhe nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Aliu.

Në kuadër të kësaj fushate, personat me aftësi të kufizuara gjatë ditës së premte janë angazhuar në punë praktike nga ora 10:00 - 12:00 nëpër Drejtoritë e Komunës se Ferizajt.