Arbëri

Nisma: Lënia e rrugëve pa emra në Prizren, peng i tenderomanisë së PDK-së

Descriptive Text

Dega e Nismës në Prizren ka akuzuar PDK-në për mos emërtimin e rrugëve e shesheve në qytet dhe fshatra, dhe kjo, siç thotë ajo, është për shkak të “sëmundjes së e tenderomanisë”.

“Të infektuar nga sëmundja e tenderomanisë, qeveria e PDK-së dhe partnerëve të saj të koalicionit kanë lënë komunën e Prizrenit si të vetmen në Kosovë, pa emërtimin e rrugëve dhe shesheve nëpër qytet dhe fshatra përreth. Derisa edhe qytetet më të vogla në Kosovë e kanë përfunduar vendosjen e tabelave me emra nëpër rrugë dhe sheshe, Prizreni akoma po vazhdon të mbetet peng në këtë drejtim. Krejt kjo si rezultat i ndikimit të njësive parapolitike për dhënien e tenderëve”, thuhet në komunikatën e Nismës, transmeton Koha.net.

Nisma më tutje thotë se, “Prizreni sot, si dhe fshatrat e kësaj komune, jo vetëm që ende nuk kanë tabela me emërtime të rrugëve, po ashtu ky qytet po vazhdon me mospasjen edhe të shenjëzimit horizontal”.

“Arsyeja e shtyrjes e më shumë se një viti dhe anulimi i tenderit deri tek përshtatja për njerëzit e lidhur me parapolitikën e partive në pushtet, e bënë qeverisjen Muja dhe koalicionin qeverisës të diagnostifikuar nga infektimi tenderoman”, thuhet në komunikatë.

Nisma gjithashtu thotë se, “Kuvendi Komunal përmes një komisioni në të cilin ka dhënë kontribut edhe dega e Nismës në Prizren, para një viti ka miratuar vendimin për emërtimin e rrugëve dhe shesheve të qytetit dhe fshatrave, si kriter i kërkuar po ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare, por për fat të keq qeveritarët e korruptuar sikur në rastet tjera edhe në këtë rast, më shumë janë të interesuar për xhepat e tyre, sesa për shërbimin e nevojshëm ndaj qytetarëve”.