Arbëri

Komuna e Podujevës ankohet se “Pastrimi” s’po i kryen shërbimet me kohë

Descriptive Text

Të pakënaqur me shërbimet e Kompanisë Regjionale “Pastrimi” janë shprehur në Komunën e Podujevës dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Ata thonë se ka kohë që kjo kompani është duke e vonuar grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave në qytet dhe fshatrat e kësaj komune

Ankesa ndaj kompanisë regjionale “Pastrimi” ka Komuna e Podujevës, derisa të pakënaqur me shërbimet e saj janë shprehur edhe në shoqërinë civile.

“Pastrimi”, siç thonë, ka kohë që është duke e vonuar grumbullimin dhe bartjen mbeturinave në këtë komunë.

Vetë kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se vërejtjet ia kanë shprehur edhe kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, gjatë një takimi këtë javë.

“Shprehëm shqetësimin tonë lidhur me menaxhimin e dobët të njësisë sonë këtu në Podujevë dhe ne kemi kërkuar që të merren hapa konkretë për të pasur një menaxhim më të mirë. Por, njëkohësisht me mund që edhe kërkesat e komunës tonë në raport me këtë kompani të procedohen me shpejtësi çfarë duhet, në mënyrë që të mos kemi ngecje në realizimin e punëve dhe detyrave që janë brendapërbrenda komunës sonë”, ka thënë Bulliqi.

Në kompaninë “Pastrimi” vonesat në largimin e mbeturinave i kanë arsyetuar me defektet në pajisjet teknike.

“Kjo ka ndodhur si rezultat i defekteve të kamionëve që sigurisht ndonjëherë është shkaktuar çrregullim i orarit, por që më pas është vazhduar më tutje duke u kryer shërbimi i largimit të mbeturinave”, ka deklaruar zëdhënësja Arbnore Ademi.

Por, vonesa ka pasur edhe gjatë kësaj jave.

Kritika ndaj “Pastrimit” kanë shprehur përfaqësues të shoqërisë civile në këtë komunë.

“Kompania Regjionale “Pastrimi” po tregohet shumë e papërgjegjshme ndaj banorëve të Komunës së Podujevës. Edhe pse Rregullorja për menaxhimin e mbeturinave e obligon këtë kompani që brenda 24 orëve në ditën e caktuar të merr mbeturinat, kjo kompani tani jo që po i merr ato mbeturina brenda 24 orëve, mirëpo deri në tri ditë kemi mbeturina të cilat mbeten aty te banorët dhe nga qentë endacakë po shpërndahen gjithandej rrugës”, ka thënë Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i OJQ-së “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”.

Zeka ka thënë se përgjegjësi bart edhe Komuna e Podujevës. Sipas tij, nëse “Pastrimi” nuk mund ta kryejë punën, atëherë autoritetet lokale duhet t’ia ndalojnë operimin në ato zona dhe të angazhojë kompani tjetër private.