Arbëri

Të mërkurën manifestim në Graçanicë, ndalohet qarkullimi i automjeteve në rrugën Prishtinë-Gjilan

Policia e Kosovës ka njoftuar të martën, se për shkak të një manifestimi fetar në Graçanicë, të mërkurën do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në magjistralen Prishtinë-Gjilan për 45 minuta.

Qarkullimi i automjeteve sipas njoftimit, do të ndalohet duke filluar nga ora 09:30.

“Ndalimi i qarkullimit do të bëhet me vendim të Komunës, për krijimin e hapësirës për mbarëvajtje të manifestimit”, thuhet në njoftim.

Policia ka kërkuar nga qytetarët që të shfrytëzojnë rrugët alternative brenda kohës së kufizimeve, në mënyrë që të tejkalohen vështirësitë dhe të ketë rrjedhë normale të zhvillimit të komunikacionit.