Arbëri

Mitrovica ndihmon Prishtinën me pajisje për personat me aftësi të kufizuara

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, u zhvillua një takim mes drejtorit të Shëndetësisë të komunës së Prishtinës, Arben Vitia, dhe drejtoreshës së Shëndetësisë në Mitrovicë, Vlora Haxhimehmedi.

Në këtë takim u diskutua për punët dhe sfidat që përballen këto drejtori, si dhe masat që janë marrë për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në këto komuna, transmeton kp.

Drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, njoftoi edhe për donacionin nga bashkatdhetarët në Norvegji me pajisje të ndryshme mjekësore.

Me këtë rast, një pjesë të pajisjeve për lehtësimin e lëvizjes për personat me aftësi të kufizuar dhe personave të moshuar, iu dhurua QKMF-së së komunës së Prishtinës.

Zyrtarët e komunës së Prishtinës shprehën falënderimin për këtë donacion që do të ndihmojë shumë këto kategori, si dhe do t’ia lehtësojë punën institucioneve shëndetësore të Komunës.

Të dyja palët u dakorduan për një bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave edhe në të ardhmen në kuadër të shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e këtyre komunave.