Arbëri

Mitrovica hap aktivitetin “Ditët e Fermerit”

Descriptive Text

Komuna e Mitrovicës, duke u bazuar në planifikimin e buxhetit për vitin 2018, nga e dita e enjte ka filluar realizimin e aktiviteteve në kuadër të “Ditëve të Fermerit” me qëllim të planifikimit të buxhetit edhe për fermerët dhe ndihmës në punën e tyre, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Ne do të vizitojmë fermerët dhe do shikojmë mundësitë tona për mbështetjen e tyre. Gjatë këtij aktiviteti do të vizitojmë fermerët më të suksesshëm me qëllim të promovimit të punës së tyre, pastaj stimulimin për zgjerim të agrofermave dhe krijimin e mundësive të punësimit edhe për fermerë të tjerë”, ka thënë Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës në vizitën e tij të parë në fermën në fshatin Koshtovë, gjegjësisht në fermën e Hatixhe Brahimit.

Përndryshe ky aktivitet bëhet për herë të parë në këtë mënyrë dhe synohet të bëhet aktivitet kalendarik vjetor, përmes së cilit synohet që fermerët dhe kategoritë e tilla të bëhen pjesë e rëndësishme në planifikimet komunale.

“Bahtiri dhe drejtori për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në komunën e Mitrovicës, Nasuf Aliu në planifikimin e buxhetit për vitin 2018, kanë planifikuar një buxhet për realizimin e projekteve të ndryshme, andaj edhe vizitat do t’i bëjnë me qëllim që për së afërmi të shohin punën e secilit dhe të dëgjojnë kërkesat dhe planifikimet e tyre, si dhe mundësitë e subvencionimit të tyre në çfarëdo forme të mundshme”, thuhet në komunikatë.