Arbëri

Supremja vërteton pezullimin e vendimeve për leje për hidrocentralin “Lepenci 3”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka njoftuar të shtunën se Gjykata Supreme ka vendosur që të mbetet në fuqi pezullimi i vendimeve për leje ujore dhe mjedisore për hidrocentralin “Lepenci 3” në Kaçanik deri në vendimin përfundimtar të rastit sipas padisë.

“Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor të parashtruar nga pala e interesuar kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Gjykata e Apelit po ashtu kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e të paditurës – Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe të palës së interesuar të parashtruara ndaj Aktvendimit të Gjykatës Themelore, me të cilin është aprovuar si i bazuar propozimi për shtyrje të ekzekutimit të vendimeve të kontestuara”, ka njoftuar GLPS-ja.

GLPS-ja dhe organizata Gjethi kanë kontestuar lejet duke thënë se procesit i kanë paraprirë shkelje ligjore si moszbatimi i procedurës së koncesionit, mungesa e debatit publik dhe degradimin e natyrës.

Sipas njoftimit, Supremja ka vlerësuar se zbatimi i vendimeve të kontestuara paraqet rrezik potencial të shkaktimit të dëmit mjedisor.

Dy organizatat kanë thënë se e mirëpresin vendimin e gjykatës.