Arbëri

Në Mitrovicë u protestua kundër ndotjes së ambientit

Një grup i qytetarëve të Mitrovicës kanë protestuar të martën në oborrin e Komunës, për shkak të ndotjes së ajrit nga disa kompani që merren me përpunimin e vajrave. Me protestuesit e banorëve të Lagjes “2Korriku” dhe Lagjes së Boshnjakëve, kanë biseduar kryetari i Komunës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari Faruk Mujka.

Kjo nuk është hera e parë që banorët e Lagjes së Boshnjakëve dhe Lagjes “2 korriku” në Mitrovicë janë ankuar tek autoritetet komunale dhe kanë kërkuar ndërprerjen e veprimtarisë së subjekteve afariste që merren me përpunimin e vajrave.

“Jeta na është bërë ferr në lagjet ku jetojmë. Fabrikat lëshojnë gazra që e ndotin ajrin pa masë dhe nga erërat e këqija nuk mund të qëndrojmë aty. Shëndeti na është dëmtuar rëndë dhe për këtë nuk e qajnë kokën pronarët e fabrikave. Ne kërkojmë nga ju që të ndërmerrni të gjitha masat që veprimtaria e këtyre fabrikave në qendër të qytetit, të ndërpritet”, i thanë qytetarët kryetarit Bahtiri.

Bahtiri iu tha qytetarëve se Komuna ka reaguar disa herë, duke filluar që nga viti 2015, që të ndërpritet puna e këtyre operatorëve, ose që të respektojnë parametrat për mbrojtjen e ambientit.

“Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor nuk i ka marrë parasysh kërkesat tona. Madje as inspektorët tanë nuk kanë kurrfarë kompetencash aty pasi që operatorët e kanë dokumentacionin në rregull që ua ka leshur Ministria. Mirëpo, unë sërish do të bisedoj me drejtuesit e Ministrisë brenda javës dhe nëse nuk ndërmarrin masa të duhura për zgjidhjen e problemit, atëherë bashkë më juve do të shikojmë se si do të veprojmë, natyrisht duke e respektuar gjithmonë ligjin”, tha Bahtiri.