Arbëri

Komuna e Fushë Kosovës reagon në lidhje me ndërtimin e shkollës

Komuna e Fushë Kosovës i është përgjigjur KMDLNJ-së në lidhje me reagimin që këta të fundit kanë bërë për ndërtimin e një shkolle të re.

KMDLNj ka mbështetur banorët e një lagje në Fushë Kosovë që kërkojnë që mos të ndërtohet një shkollë në lagjen e tyre.

Përgjigja e komunës për KMDLNJ-në

Bazuar në shkresën tuaj përkatësisht reagimit të një grupi të qytetarëve nga komuna jonë, lidhur me shkollën e cila ka filluar të ndërtohet, ju informojmë si më poshtë:

- Komuna e Fushë-Kosovës ballafaqohet me një shtim të madh të numrit të nxënësve për çdo fillim të vitit të ri mësimor.

- Deri më tani vetëm në Shkollën “Mihal Grameno” është rritur numri i nxënësve të regjistruar vetëm në klasat e para, për 6 paralele të reja përtej planifikimit.

- Për ndërtimin e Shkollës “Mihal Grameno” (paralele e ndarë – afër “Kompleksit 300”) janë përfillur të gjitha procedurat ligjore.

- Është më shumë se 1 hektar hapësirë e gjelbëruar tek “Kompleksi 300” ku ata banorë nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë asgjë për ta mirëmbajtur apo për t’u kujdesur.

- Shkolla ka filluar të ndërtohet sipas standardeve.

-Lidhur me dy pikat që kanë përmendur nënshkruesit e peticionit: 1.‘Rreth dëmtimit të ujësjellësit në tri ndërtesat’ dhe 2. ‘Rrezikun nga dëmtimi i kanalizimit’ ju njoftojmë se janë plotësisht të pavërteta dhe të paqëndrueshme. Janë gënjeshtra dhe trillime nga ata që kanë kohë të merren me këto punë.

- Sa për informimin tuaj ju njoftojmë se është edhe një shkollë tjetër e cila ka filluar të ndërtohet që para 6 viteve nga Ministria e Arsimit e cila ende nuk ka përfunduar dhe askush nuk ka bërë asgjë.

- Kjo është shkolla e tretë që ne e bëjmë për 4 vite.

"Shqetësohen vetëm ata që bëjnë politikë destruktive", thuhet në fund në komunikatën e dërguar nga Komuna e Fushë Kosovës.