Arbëri

Shpërfillen procedurat ligjore në punësimin e personelit mësimor e shëndetësor

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2021 ka gjetur se Komuna e Obiliqit nuk i ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për shërbyesit publikë përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ) dhe ka pranuar mësimdhënës jo në përputhje me Ligjin për zyrtarët publikë

Komunarët e Obiliqit i kanë shpërfillur procedurat ligjore kur kanë punësuar personel mësimor e mjekësor në këtë komunë. Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2021 ka gjetur se Komuna e Obiliqit nuk i ka zhvilluar procedurat e rekrutimit për shërbyesit publikë përmes Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNj) dhe ka pranuar mësimdhënës jo në përputhje me Ligjin për zyrtarët punlikë. Sipas ZKA-së, Ligji nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë, neni 68, përcakton që hapja e procedurës së konkurrimit shpallet nga njësia e burimeve njerëzore, në uebfaqen e konkurrimeve të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore (SIMBNJ).

“Njoftimet dhe procedurat e rekrutimit për shërbyesit publikë, për personelin arsimor dhe mjekësor, nuk janë zhvilluar përmes SIMBNJ-së. Në rekrutimet për mësimdhënës, përveç konkursit publik, asnjë informatë tjetër rreth procesit të rekrutimit, si lista e ngushtë, njoftimet dhe rezultatet e testit me shkrim, intervistat dhe renditja përfundimtare e kandidatëve nuk janë

publikuar në uebfaqen e komunës. Kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit të dobët të kontrolleve të brendshme dhe moszbatimit të kërkesave ligjore për procedurat e rekrutimit të personelit”, thekson raport i Auditorit për vitin 2021.

Bazuar në këtë dokument, mospublikimi i njoftimeve rreth procedurave të rekrutimit krijon jotransparencë rreth procesit dhe u pamundëson aplikantëve informimin rreth procesit të rekrutimit.

Tutje në raport thuhet se Ligji nr. 06/L-114 për zyrtarët publikë, neni 67, përcakton që themelimi i marrëdhënies së punës për një nëpunës të shërbimit publik bëhet vetëm në bazë të një konkursi publik të hapur, të organizuar sipas këtij ligji.

“Punësimi i tre mësimdhënësve dhe një edukatoreje ishte bërë pa zhvilluar procedurë të rregullt të rekrutimit. Tre prej tyre kishin aplikuar në konkurset e mëhershme, por nuk ishin përzgjedhur pasi kishin rezultuar të pasuksesshëm. Ata janë angazhuar në zëvendësimin e punonjësve në pushime të lehonisë, por pas kthimit të punonjësve nga pushimi, kontratat e tyre nuk janë ndërprerë, por janë bërë kontrata të reja të punës”, thuhet në raport.

Auditori ka gjetur se dy mësimdhënëse për arsimin e të rriturve ishin angazhuar pa ndonjë procedurë formale dhe paguhen nga buxheti për mallra dhe shërbime.

“Kjo ka ndodhur për shkak të funksionimit të dobët të kontrolleve të brendshme dhe moszbatimit të kërkesave ligjore për procedurat e rekrutimit të personelit. Ndërsa, nga komuna janë arsyetuar se angazhimi i tyre është bërë për shkak të rrethanave të krijuara nga Covid-19. Moszbatimi i procedurave të rregullta dhe konkurruese të rekrutimit pamundëson përzgjedhjen e kandidatëve meritorë dhe kompetentë për pozitat e punës”.

Auditori i ka rekomanduar kryetarit të Komunës që të sigurojë se rekrutimi i punonjësve realizohet vetëm në bazë të konkursit publik të hapur dhe konkurrues dhe se kontratat e punës për kohë të caktuar të ndërpriten me skadimin e afatit apo përmbushjes së kushteve kontraktuale.