Arbëri

Komuna e Deçanit akuzohet se punësoi në kohë fushate pa nevojë 47 persona

Komuna e Deçanit përveç 149 punonjësve të administratës që ka aktualisht ka angazhuar edhe 47 të tjerë me kontratë mbi vepër.

Por një veprim të tillë Shoqëria civile dhe opozita po e konsideron si të panevojshëm, ngase sipas tyre, për aq banorë sa ka kjo komunë, të tepërt janë edhe ata që kanë kontrata të rregullta, raporton KTV.

Madje sipas tyre, këta punonjës të rinj nuk paguajnë tatim mbi pagën, gjë që siç thonë, bie ndesh me Ligjin mbi tatim.

Përveç kësaj, ata thonë se shumë prej këtyre punësimeve janë bërë në kohë fushate para Zgjedhjeve të Përgjithshme për të përfituar politikisht.

Zyrtarë të komunës arsyetohen se me këtë hap të ndërmarrë kanë dashur t’i ndihmojnë personat të cilët kanë përfunduar studimet dhe ende nuk e kanë gjetur një punë.

Ndërkaq e pranojnë se atyre nuk u ndalet tatimi në pagë.

Edhe Raporti i Auditorit kishte gjetur se Komuna e Deçanit, gjatë vitit 2016 kishte angazhuar 12 punonjës me kontrata për shërbime të veçanta.

Asnjërit prej tyre nuk i ishte ndalur tatimi në burim, siç përcaktohet me Ligj.