Arbëri

Shtimja prej dy muajsh përballet me ndërprerje të shpeshta të ujit të pijshëm

Descriptive Text

Banorët e Shtimes gjatë dy muajve të fundit janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm, si pasojë e ndërprerjeve të shpeshta. Situata më e rëndë ndodhet në lagje të epërme të qytezës, shkaku i mungesës së kapaciteteve ujore te burimet.

Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” në Shtime kanë thënë se pas mesnatës shpeshherë po detyrohen ta ndërprenë furnizimin me ujë për t’i ruajtur resurset ujore, pasi që gjatë ditës po bëhen shpenzime të mëdha të ujit. Rreth kësaj çështjeje gjatë ditëve të fundit ka pasur reagime edhe nga kuvendarët komunalë, të cilët kanë kritikuar Komunën për moszgjidhje të halleve të qytetarëve.

Arben Ademi, banor i cili është duke u përballur me mungesën, ka thënë se është shqetësuese se si qyteti i Shtimes nuk ka bërë zgjidhje për ujë të pijshëm tash e disa vjet.

“Ky problem i ujit vazhdon të jetë me vite, por gjatë dy muajve të fundit kemi telashe të theksuara si asnjëherë më parë. Prandaj pushtetarët, ashtu siç kanë premtuar, le t’i realizojnë ato në mënyrë që të kemi furnizim 24 orë pa ndërprerë”, ka thënë ai.

Hamëz Tërshani, kuvendar nga radhët e PDK-së në Shtime, ka thënë se gjatë dy muajve të fundit ka shqetësime nga qytetarët për gjendjen dhe mungesën me furnizim me ujë me orë të tëra, ose edhe me shtypje të vogël.

“Kryetari aktual gjatë fushatës zgjedhore kishte premtuar 24 orë furnizim me ujë, ndërsa tani ka mungesë të furnizimit e ne po paraqesim ankesat e qytetarëve, si dhe po kërkojmë përgjegjësi nga kryetari për fjalën e dhënë që ta mbajë. Një shqetësim aktual i gjendjes dhe mungesës me furnizim me ujë, pasi që kohëve të fundit kemi shumë ankesa nga qytetarët”, ka thënë Tërshani.

Ali Ademaj, përgjigjes në KRU “Prishtina” në Shtime, ka thënë se Komuna asnjë cent nuk ka investuar për hapjen e puseve të reja, ndërkohë ujësjellësi me vetëfinancim është duke realizuar disa projekte për ta përmirësuar gjendjen me ujë.

“Gjendja gjatë javës së fundit është pak më mirë me furnizim, por prej orës 24 deri në ora 3 të mëngjesit po duhet ta ndërpremë furnizimin për t’i ruajtur resurset ujore. Ndryshe ende nuk kemi praktikuar reduktime, por telashe kemi pasur edhe me mungesë të energjisë elektrike te sistemi i pompimit. Komuna nuk ka bërë asnjëherë investime, kurse ne po mundohemi t’i realizojmë projektet për rritjen e kapaciteteve ujore”, ka thënë Ademaj.

Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka thënë se furnizimi me ujë në territorin e Komunës së Shtimes është duke pasur pengesa e sidomos gjatë periudhës së fundit kur temperaturat janë rritur. Sipas tij, këtë gjendje të furnizimit me ujë e ka trashëguar nga ish-qeverisja e PDK-së.

“Duke qenë të vetëdijshëm për këtë dhe për sezonin dimëror që nuk ka pasur shumë reshje atmosferike që ndikon në rritjen e kapaciteteve te puset e ujit në Komunën e Shtimes, ne prej ditës së parë kemi kontaktuar me drejtorin e KRU ‘Prishtina’ dhe jemi munduar të gjejmë donator, pasi që nuk kemi pasur fonde buxhetore në Komunën tonë për të bërë një ndërhyrje në projektin e KRU ‘Prishtina’ për shtimin e kapaciteteve dhe rezervave ujore”, ka thënë kryetari Aliu.

Sipas tij, Komuna është duke bërë përpjekje që të gjejë mundësi për të ardhmen për investime të reja.

“Rreth dhjetë ditë më parë kemi pasur takim me përfaqësuesit e organizatës ‘Qatar’ si dhe me drejtorin e KRU ‘Prishtina’, andaj e kemi siguruar një fond prej 320 mijë eurosh për një projekt ku kjo organizatë do të participojë me 60 për qind dhe 40 për qind ujësjellësi dhe Komuna. Sipas këtij projekti besohet se nevojat dhe rezervat e ujit për ta furnizuar Komunën e Shtimes, mbas këtij projekti për një periudhë pesë apo dhjetëvjeçare, do të jenë të mjaftueshme”, ka thënë Aliu.