Arbëri

Mirëpritet iniciativa e Komunës së Podujevës për themelimin e një ndërmarrjeje publike

Descriptive Text

Komuna e Podujevës i ka nisur procedurat për themelimin e një ndërmarrjeje publike lokale. Me këtë ajo po synon që t’i kursejë mijëra euro, pasi për shërbimet që pritet t’i ofrojë kjo ndërmarrje, ajo tash tenderon rreth 400 mijë euro në vit. Kjo iniciativë është mirëpritur nga shoqëria civile në Podujevë, por sipas zyrtarëve të saj, sfidë mbetet pajisja me makineri dhe rekrutimi i stafit.

Inicimi i procedurave për themelimin e një ndërmarrjeje publike lokale nga ekzekutivi i Podujevës është mirëpritur nga përfaqësues të shoqërisë civile në këtë komunë.

Ata presin që me themelimin e saj të përmirësohen shërbimet për qytetarë, sidomos për ato fusha që tash për tash nuk ofrohen shërbime.

Megjithatë, sfidë sipas tyre, mbetet pajisja e makinerive me të cilat duhet të funksionojë kjo ndërmarrje dhe po ashtu rekrutimi i stafit.

“Përndryshe themelimi i kësaj ndërmarrjeje dhe fushave të cilat i ka paraparë t’i mbulojë është inkurajues, mbetet sfidë se si do të pajisen me mjete të punës, për shkak që duhet një makineri e tërë të jetë në funksion dhe në shfrytëzim të kësaj ndërmarrjeje të re, mandej rekrutimi i stafit”, ka thënë Shemsi Jashari-drejtor ekzekutiv i Rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”.

“Natyrisht që presim që shërbimet të cilat do t’i ofrojë kjo ndërmarrje do të rrisin cilësinë te qytetarët, pra shërbimet e tyre dhe po ashtu presim që kjo ndërmarrje të gjenerojë vende të punës në Komunën e Podujevës, një gjë që është shumë e dukshme që ka mungesë të vendeve të punës, pra krijimin e vendeve të punës në Komunën e Podujevës”, ka thënë Rexhep Zeka, drejtor ekzekutiv i OJQ “Sundimi i Demokracisë në Kosovë”.

Drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Vigan Salihu, ka thënë se kjo ndërmarrje parasheh që të ofrojë shërbimet e tregut, mirëmbajtjen e varrezave, shërbimet e parkingut publik, mirëmbajtjen e kanalizimeve, gjelbërimit, mirëmbajtjen e shtretërve të lumenjve e dekorimin e hapësirave publike.

“Një ndër kriteret për inicimin e themelimit të një ndërmarrjeje është edhe subvencionimi në shumën 10 mijë eurosh. Kështu që ne si institucione e kemi paraparë që një gjë të tillë ta bëjmë, sigurisht përmes Kuvendit Komunal dhe ndërmarrja do të fillojë punën me atë nivel, ndoshta nuk është i kënaqshëm fillimisht, mirëpo me ato 10 mijë do të fillojë puna, pastaj me gjenerimin e të hyrave do të mundohet t’i sigurojë edhe pajisjet e tjera, makineritë e nevojshme”, Vigan Salihu, Drejtor për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik.

Sipas Salihut, aktualisht Komuna e Podujevës shpenzon rreth 400 mijë euro në vit për shërbimet që pritet t’i ofrojë ndërmarrja publike lokale. Me themelimin e saj, ai ka thënë se synojnë që të kursejnë shumë nga këto mjete.

Propozim-vendimi për të nisur këto procedura për këtë ndërmarrje është mbështetur nga të gjitha partitë në Kuvendin Komunal të Podujevës.