Arbëri

Kontratat me defekte të Obiliqit

Descriptive Text

Dobësi të shumta ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit në kontratat e Komunës së Obiliqit, të realizuara gjatë vitit të kaluar. Mbështetur në dokument, zyrtarët komunalë kishin nënshkruar kontrata pa zotim të mjeteve e edhe kishin tejkaluar vlerën e parashikuar të kontratave. Po kështu, Auditori ka gjetur parregullsi në pagesa dhe menaxhim të kontratave, e edhe vonesa të pagesave

Një numër parregullsish ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në kontrata e procedura të prokurimit në Komunën e Obiliqit. Në raportin vjetor për 2021, që është publikuar nga Auditori, thuhet se zyrtarët komunalë kanë nënshkruar edhe kontrata pa zotim të mjeteve e në disa raste kanë tejkaluar vlerën e parashikuar.

“Kontrata publike për furnizim me dru dhe pelet për institucionet shkollore në vlerë 40,000€ ishte nënshkruar pa zotim paraprak të mjeteve financiare në SIMFK. Zotimi dhe Urdhërblerja ishin bërë 45 ditë pas nënshkrimit të kontratës, përkatësisht pas skadimit të kontratës e cila kishte afat realizimi 10 ditë”, thuhet në raportin e ZKA-së. “Te kontrata publike për mirëmbajtjen e automjeteve zyrtare, në vlerë të peshuar 13,458€, siguria e ekzekutimit të kontratës nga fituesi i tenderit nuk ishte bërë 10% e vlerës së kontratës 61,635€, përkatësisht 6,163€, por në vlerë 4,000€ bazuar në vlerën e parashikuar. Për këtë kontratë Komuna kishte parashikuar 40,365€, përderisa oferta e fituesit është 61,635€, duke tejkaluar vlerën e parashikuar”.

Auditori ka gjetur gjithashtu se te kontrata për digjitalizimin e rrugëve dhe objekteve publike në vlerë 23,218€, urdhërblerja ishte bërë 26 ditë pas skadimit të kontratës.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka vërejtur edhe parregullsi në pagesa dhe menaxhim të kontratave publike në këtë komunë.

Në dokument është konstatuar se te kontrata për ndërtimin e sheshit “Adem Preniqi” në vlerë 989,026€, punimet nuk janë realizuar sipas kontratës, pasi në situatën përfundimtare të punimeve disa pozicione kishin dallime në mes të sasisë së planifikuar dhe të realizuar.

“Kryesisht kjo është hasur te punët ndërtimore dhe punët e betonit. Sipas paramasës dhe parallogarisë, pjesa 9 ‘Punët e elementeve mikrourbane’, pozicionet nr. 9.5, 9.6, 9.10, 9.11, 9.12, si dhe pjesa 10 ‘Pajisjet sportive në këndin e rekreacionit’, në vlerë totale 38,390€, nuk ishin realizuar dhe as paguar. Gjithashtu, disa pozicione të paguara nuk ishin realizuar sipas situatës së aprovuar”, thuhet në raport.

Kjo, sipas Auditorit, është hasur në këto pozicione: Te instalimet elektrike, në pozicionin 12 që i referohet furnizimit dhe montimit të trupit ndriçues DOMINO 2 x ML ishin llogaritur 97 copë, ndërsa ishin vendosur 85 copë, duke bërë mbipagesë prej 3,480€; Te punët e elementeve mikrourbane, mbipagesat totale janë 10,120€, e që janë hasur te pozicioni 9.1 që i referohet furnizimit, transportit dhe montimit të ulëses në formë rrethore, ku ishin llogaritur 13 copë, ndërsa janë realizuar 3 copë.

“Pozicioni 9.7 furnizimi, transporti dhe instalimi i mbajtëseve për biçikleta nuk është realizuar, ndërsa janë llogaritur 2 copë, pozicioni 9.8 shportat për mbeturina, nuk ishte vendosur formati i shportës sipas detajit në projekt në formë katërkëndëshe dhe me dimensionet e përcaktuara, por lloj i rrumbullakët i shportës, pozicioni 9.9, furnizimi, transporti dhe montimi i rrethojës metalike të parkut përgjatë tërë perimetrit të parkut, ishin realizuar 58 copë, ndërsa janë paguar 110 copë, ndërsa me paramasë ishte paraparë të vendoseshin 390 copë”, thuhet në raport. “Te punët për fontanën, pozicioni 1.6 Furnizimi dhe montimi spërkatësi i ujit për fontanë me të gjitha elementet përcjellëse fazonike DN32mm 6 copë, në vlerë 2,100€, nuk përshtatej sipas detajit të projektit”.

Pas përfundimit të auditimit, për këto mospërputhje, sipas Auditorit, Komuna ka ofruar shpjegime se janë bërë disa plotësime dhe ndryshime të pozicioneve për shkak të planifikimeve në realizim të projektit, por pa ndonjë ndryshim financiar. Gjithashtu, janë deklaruar se në mungesë të furnizimeve për shportat të kontraktuara janë pranuar furnizime tjera të ngjashme, ndërsa për vendosjen e mbajtësve për biçikleta në vlerë 1,000€, pas përfundimit të auditimit janë ofruar dëshmi se është realizuar furnizimi.

Dokumenti ka evidentuar edhe shkelje në kontrata të tjera.

“Po ashtu, te kontrata për ndërtimin e bibliotekës së qytetit në vlerë 272,272€, në paramasë dhe parallogari, pjesa 3 pozicioni 1.1 Termopompa Mitsubishi, është përcaktuar lloji apo marka tregtare e pajisjes, që me rregullat e prokurimit është e ndaluar. Projekti ishte realizuar brenda çmimit të kontratës, por disa pozicione të paramasës kishin dallime në mes sasisë së planifikuar dhe sasisë së realizuar. Projekti ishte realizuar me 10 muaj vonesë, kjo për shkak të mospajtimeve rreth punëve të realizuara mes kontraktuesit dhe komunës/menaxheres së kontratës dhe formimit të sërishëm të komisionit të pranimit në fund të vitit për vlerësimin e punëve të realizuara”, theksohet në dokument.

Kjo, sipas Auditorit, ka ndodhur për shkak të planifikimeve joadekuate dhe kontrolleve të pamjaftueshme në mbikëqyrjen e realizimit të projekteve kapitale.

Dobësi tjetër te kontratat, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe në vonesën e pagesës së obligimeve ndaj kontraktuesve.

“Sipas LMFPP çdo faturë apo kërkesë për pagesë duhet të paguhet brenda 30 ditëve kalendarike pas pranimit të faturës ose kërkesës për pagim. Pesë (5) fatura për mallra dhe shërbime në vlerë totale 10,318€ dhe dy (2) fatura për investime kapitale në vlerë 68,190€ nuk ishin paguar brenda

afatit kohor ligjor prej 30 ditëve. Vonesat ishin nga 8 ditë deri në 6 muaj. Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e mosefektivitetit të kontrolleve gjatë procesimit të lëndëve për pagesë nga zyrtarët financiarë”, thuhet në raport.

Auditori ka vërejtur edhe parregullsi për pozicionet e peshuara në specifikimin teknik të kontratës.

“Në shpjegimin e KRPP-së, nr. 68, përcaktohet që autoriteti kontraktues (AK) duhet të luajë një rol aktiv në përcaktimin sa më të saktë të vlerës së parashikuar e më këtë edhe vlerës së kontratës (të realizuar). Duke pasur parasysh faktin se peshimi i artikujve duhet bërë bazuar në peshën dhe në rëndësinë e kategorisë përkatëse, kjo nënkupton që edhe sasia e realizuar (shpenzuar) nuk mund dhe nuk duhet të ndryshojë nga raportet sipas peshës së dhënë, por të ruajnë të njëjtin raport”, thuhet në raportin e Auditorit.

ZKA-ka gjetur se kontrata publike për mirëmbajtjen e parqeve, hapësirave të gjelbëruara dhe shesheve në vlerë të parashikuar prej 210,000€, ishte kontraktuar bazuar në çmimin për njësi dhe duke përcaktuar rëndësinë dhe peshën e dhënë për secilën kategori, përkatësisht pozicion.

“Paramasa apo specifikimi teknik ishte ndarë në pesë kategori kryesore, të peshuar sipas rëndësisë me 20% secili prej tyre. Për pozicionin 1, të peshuar me 20% të vlerës së kontratës, janë paguar deri në përfundim të kontratës 178,869€, apo 88% e pagesave të përgjithshme të kontratës, duke e humbur raportin ndërmjet sasisë së realizuar dhe peshës së dhënë. Kjo kishte ndodhur për shkak të planifikimit të dobët të nevojave nga njësia kërkuese dhe mungesës së kontrolleve adekuate në menaxhimin e kontratave”, thuhet ndër të tjera në raport.

Auditori ka gjetur edhe dobësi të tjera në Komunën e Obiliqit.