Arbëri

LDK-ja deponon kallëzim penal kundër drejtorit për Arsim në Podujevë

Zyrtarët e LDK-së, dega në Podujevë, pretendojnë se drejtori Avni Fetahu ka bërë shkelje ligjore në rekrutimin e stafit të shkollave. Vetë drejtori Fetahu nuk ka dashur të prononcohet me arsyetimin se ende nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare për ngritje të kallëzimit penal. Në Prokurorinë Themelore të Prishtinë e kanë konfirmuar se janë duke u zhvilluar hetimet rreth akuzave të LDK-së

Kallëzim penal kundër drejtorit për Arsim në Podujevë ka deponuar në Prokurori Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në këtë komunë. Zyrtarët e saj pretendojnë se drejtori Avni Fetahu ka bërë shumë shkelje ligjore gjatë pranimit të mësimdhënësve nëpër shkollat e Podujevës. Sipas tyre, një pjesë e mësimdhënësve janë pranuar edhe pa shpallur fare konkurs.

“Deponimi i kallëzimit penal në Prokurori dhe ankesa në Agjencinë Antikorrupsion e kemi bërë para disa ditëve me arsyen e gjetjes së shumë parregullsive që ka bërë drejtori në emërimin e profesorëve nëpër shkolla. Kemi emërimin e shumë profesorëve pa zhvillimin e asnjë procedure që është shkelje ligjore. Të gjitha këto fakte i kemi ofruar në kallëzimin penal, d.m.th. janë lista e pagave dhe kontratat e punës”, ka thënë Qëndrim Softolli.

Këshilltari komunal i LDK-së thotë se drejtori Fetahu në mënyrë të përsëritur ka kryer vepër penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”.

“Është një profesoreshë e lëndëve ekonomike që punon qe një kohë të gjatë me gjysmë norme. Prandaj, sipas ligjit, nëse kemi profesorin me përgatitje adekuate, duhet të plotësohen orët e atij profesori pastaj të shpallet konkurs për orë të tjera. Drejtori ka vepruar në të kundërtën, ka shpallur konkurs për dy profesorë dhe ka pranuar pesë. D.m.th. iu kanë ndarë orët dhe kemi profesorë vetëm me nga dhjetë orë. Kjo shkaku i larjes së borxheve elektorale që ka pasur”, ka theksuar Softolli.

Drejtori i Arsimit, Avni Fetahu, ka thënë se nuk mund të prononcohet meqë deri tash nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare që ndaj tij është ngritur kallëzim penal.

Në Prokurorinë Themelore të Prishtinës në përgjigjen për KOHËN kanë thënë se e kanë angazhuar Policinë për grumbullimin e provave për këtë rast.

“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar kallëzimin penal kundër të dyshuarit A.F., në drejtim të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, ‘Marrja e ryshfetit’ dhe ‘Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë’, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokurori i çështjes ka autorizuar policinë për grumbullimin e informatave dhe provave në mënyrë që të sqarohet në tërësi ky rast. Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë”, ka thënë Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

LDK-ja në Podujevë muajin e kaluar ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në arsim, por e njëjta kishte përshkallëzuar pasi një këshilltar i saj e kishte gjuajtur me ujë drejtorin Avni Fetahu.